Kronikë

Ndalohen 48 orë tre të dyshuarit që tentonin t’ia merrnin Doganës më shumë se 14 milionë euro

Descriptive Text

Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e tre personave që dyshohet se kishin tentuar t’ia merrnin Doganës së Kosovës më shumë se 14 milionë eurove përmes falsifikimit të dokumenteve. Tre të dyshuarve, me aktvendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Koha Ditore raportoi të hënën se njësia për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit kishte arrestuar, A. M. dhe M. A. pronarë të dy kompanive, si dhe përmbaruesen Rr. M. Ata janë arrestuar me dyshimin se kanë falsifikuar dokumente, me të cilat synohej të përfitoheshin këto mjete nga Dogana e Kosovës.

Policia sot ka konfirmuar arrestimin e tyre duke dhënë detaje për dyshimet ndaj tyre.

E dyshuara Rr.M. e lindur më 1980, dyshohet se kishte përpiluar urdhrin përmbarues të mbështetur në dokumente me përmbajtje të pavërtetë (faturë), e cila është paraqitur në gjykatë.

I dyshuari M.A. ish-pronar i një kompanie të derivateve, i lindur më 1965, dyshohet se ka përpiluar dokumente me përmbajtje të pavërtetë duke kërkuar nga Dogana e Kosovës kompensim për “ruajtjen” e derivateve të naftës.

I dyshuari A.M., i lindur më 1990 menaxher i një kompanie, me qëllim që t’i ndihmojë të dyshuarit M. A. ka lidhur marrëveshje me përmbajtje të pavërtetë (fiktive) për ”ruajtjen’’ e derivateve në rezervarët e kompanisë së tij.

“I dyshuari M. A. në emër të ‘ruajtjes’ së derivateve nga viti 2001 për Doganat e Kosovës, ka ushtruar padi në gjykatë, përmes se cilës ka kërkuar kompensim nga dogana në vlerë prej 14,131,529.97 € në emër të ruajtjes së derivateve”, thuhet në njoftimin e policisë.