Kronikë

Shiste barna të skaduara, kërkohet paraburgim për ekonomistin që punonte si farmacist në Kamenicë

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Prokuroria Themelore në Gjilan, dje rreth orës 18:00h, ka ndaluar të dyshuarin B.K., në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa sot ndaj tij ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën kompetente në Gjilan, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 22 shkurt 2019 në komunën e Kamenicës, në barnatoren “Greta Pharm”, pas kontrollimit nga Inspektorati Farmaceutik – Ministria e Shëndetësisë, u konstatua se i dyshuari B.K., ka vënë në qarkullim një sasi të konsiderueshme të barërave pas datës së skadimit, të cilat janë të dëmshme për shëndet”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Gjithashtu, i dyshuari, në mënyrë të kundërligjshme ka ushtruar veprimtari farmaceutike, në atë mënyrë që edhe përkundër asaj që i njëjti me profesion është ekonomist, pa kualifikim adekuat profesional ka ofruar shërbime farmaceutike.

Në këtë mënyrë, dyshohet të ketë kryer veprat penale, ‘’Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’’ dhe ‘’Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.