Polici dhe mësuesi, të dyshuar për keqpërdorim seksual të vajzës nga Drenasi, mbesin në paraburgim Foto: Koha / ilustrim

Polici dhe mësuesi, të dyshuar për keqpërdorim seksual të vajzës nga Drenasi, mbesin në paraburgim

21 shkurt 2019 14:16

Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji për të pandehurit, policin hetues Vesel Veseli dhe mësimdhënësin Shkelzen Xhekaj.

Në këtë mënyrë, gjykata ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 07.02.2019 dhe 09.02.2019.

“I pandehuri V.V. po dyshohet nga ana e prokurorisë se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim seksual duke përdorur pozitën, autoritetin apo profesionin’ dhe veprën penale ‘Ndërprerja e palejuar e shtatzënisë’. Ndërsa i pandehuri Sh.Xh. po dyshohet për veprën penale ‘Keqpërdorim seksual duke përdorur pozitën, autoritetin apo profesionin’ dhe veprën penale ‘Nxitje e akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë’”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata e Apelit gjen se gjykata e shkallës se parë ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën ligjore për të cilën ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tyre, konform dipspozitave të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës se Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme