Kronikë

Avokati Halilaj mashtroi se është arrestuar, Prokuroria e kishte ftuar për intervistim

Descriptive Text

Ftesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për të dhënë deklaratë avokati Gazmend Halilaj në publik e ka paraqitur si arrestim. Përmes një statusi në “Facebook”, vetë Halilaj në mëngjes kishte thënë se është arrestuar dhe e kishte cilësuar këtë veprim si hakmarrje, raporton Koha Ditore.

Por Halilaj është ftuar për intervistim të mërkurën nga Prokuroria e Shtetit. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë ky institucion përmes një komunikate për media.

“Për hir të informimit të drejtë e të saktë, ju njoftojmë se avokati, Gazmend Halilaj, ka qenë i ftuar për intervistim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, dhe nuk është arrestuar, siç kanë shkruar sot disa media”, thuhet në këtë njoftim.

Intervistimi i avokatit Halilaj, sipas komunikatës, është në vazhdën e veprimeve hetimore, për shkak të rastit Drenasi. Megjithatë burime të gazetës kanë bërë me dije se Halilaj edhe pse ishte i ftuar nga prokuroria për të dhënë deklaratë në lidhje me këtë çështje nuk është intervistuar nga prokurori. Kjo pasi që sipas burimeve të gazetës prokurori ia ka deleguar hetuesve të IPK-së intervistimin e Halilaj.

Intervistimi i Halilaj ka filluar orë me parë nga hetuesit e IPK-së. Gazeta e ka kontaktuar IPK-në por ata nuk kanë dhënë përgjigje nëse ka përfunduar intervistimi. Burime të gazetës “Koha Ditore” brenda IPK-së kanë thënë se ka një hetim parapenal me dyshimet se edhe Halilaj ka abuzuar me viktimën A.G.