Organizata Inject kërkon hetim të pavarur për rastin e abuzimit seksual të së miturës në Drenas

Organizata Inject kërkon hetim të pavarur për rastin e abuzimit seksual të së miturës në Drenas

20 shkurt 2019 12:58

Organizat Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi - Inject, duke reaguar lidhur me rastin e abuzimit seksual të së miturës nga komuna e Drenasit, përmes një komunikate për media ka kërkuar hetim të pavarur të këtij rasti, transmeton Koha.net.

Inject – Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi reagon lidhur me trajtimin jokorrekt të rastit të së miturës nga komuna e Drenasit, duke kërkuar prej institucioneve relevante një kujdes të veçantë dhe punë profesionale me qëllim të zvogëlimit të dëmit të shkaktuar jo vetëm ndaj viktimës, por edhe ndaj personave tjerë të përfshirë në këtë rast.

Inject kërkon nga të gjithë mekanizmat mbikëqyrës të institucioneve që të mos lejohet manipulim, keqpërdorim apo fshehje/fshirje e gjurmëve lidhur me rastin e lartcekur.

Jemi të alarmuar me informatat kontradiktore dhe paqartësitë në lidhje me rastin në fjalë, pasi që nga fillimi i plasimit të informatave për publikun ka qenë e qartë shkelja e detyrave dhe përgjegjësive të institucioneve, duke filluar prej prokurorisë, e cila e ka pushuar hetimin e rastit, përkundër faktit se viktima ka qenë e moshës së mitur dhe tërheqja e padisë në rast të abuzimit me të mitur nuk mund të merret si arsye për pushim të hetimeve.

Prokuroria sipas detyrës zyrtare (EX-OFFICIO) nuk është dashur të ndalojë hetimin, sepse shkeljet e detyrës zyrtare të mësimdhënësit dhe policit kanë qenë të qarta nga fillimi. Për këtë arsye thërrasim në përgjegjësi institucionet dhe personat që i përfaqësojnë këto institucione që këtë rast ta hetojnë pa ndikime nga jashtë. Po ashtu, duke u bazuar në rezultatet e fundme, kërkojmë që të krijohet një komision i pavarur në të cilën do të angazhohet një superekspertizë. Propozojmë që menjëherë, pa vonesë, të konfiskohen të gjitha materialet e grumbulluara nga ky rast, të stopohen hetimet nga personat aktual dhe të merren përsipër nga një ekip tjetër profesionale, thuhet në komunikatën e Organizatës Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, Inject.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme