Kronikë

Në Komoran, banorët zënë hajnin në vepër

Për hajnat, edhe festat janë ditë pune. Pikërisht në përvjetorin e 11 të pavarësisë së Kosovës, një i tillë ia kishte mësyrë një shtëpie në Komoran të Drenasit.

Por, i ka dështuar aksioni. E kishin vërejtur banorët e shtëpisë në lagjen Gash, ku ai kishte hyrë, dhe i ishin vënë pas. Pas disa përpjekjeve, kishin arritur ta kapnin në vepër.

Një burim ia ka përcjellë portalit KohaNet një fotografi të momentit pas kapjes së këtij hajni. Aty shihet se si personin e zënë banorët e mbajnë të mbërthyer për toke, dhe pranë tij shihen edhe stoli që ai i kishte vjedhur.

Sipas burimit, për rastin janë informuar policia, e cila me të mbërritur në vendin e ngjarjes, e ka vënë në pranga hajnin. Atë e ka shoqëruar në stacionin policor.

Koha.net ka provuar që të marrë detaje shtesë nga zyrtarët policorë për informim, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur të hënën mbrëma.