Kronikë

Paraburgim shtatë të dyshuarve për drogën e gjetur në Ferizaj

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve B.S., G.K., Xh.S., H.B. nga Kosova dhe J.B., F.B., F.B.1, nga Maqedonia për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Të pandehurve më 10.02.2019 në fshatrat Papaz dhe Pojatë të Ferizajt, në dy lokacionet u është gjetur substancë e dyshuar e llojit marihuanë në sasi prej 209 kilogramësh e 202 gramësh.

Sipas njoftimit, ky grup kishte qëllim që të shiste, shpërndante dhe të transportonte drogën jashtë Kosovës.

“Të pandehurit dyshohet se më 10.02.2019, në fshatrat Papaz dhe Pojatë – Komuna e Ferizajt, pas informacioneve përmes rrugëve operative të Policisë së Kosovës, gjatë ndjekjes së një veture të dyshimtë, e cila është dyshuar se ka ngarkesë me lëndë narkotike, e njëjta është mbajtur nën vëzhgim, më pas vetura e njëjtë është larguar nga vendi i ngjarjes dhe pas informacioneve që të pandehurit kanë vepruar si anëtar të grupit të organizuar, Policia e Kosovës – Sektori Anti - Drogë, pas kontrollimit të dy lokacioneve, ka gjetur substancë të dyshuar të llojit marihuanë në sasi prej 209 kg e 202 gr, e cila ka pasur për qëllim shitjen, shpërndarjet dhe transportin jashtë shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim të gjykatës.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.