Prokuroria vitin e kaluar kishte bërë kallëzim penal për lajmërim të rrejshëm për 18 vjeçaren nga Drenasi Foto: Ilustrim

Prokuroria vitin e kaluar kishte bërë kallëzim penal për lajmërim të rrejshëm për 18 vjeçaren nga Drenasi

Saranda Ramaj Saranda Ramaj 12 February 2019 14:07

Që rreth një vit ndaj 18 vjeçares A.G. është bërë kallëzim penal nga Prokuroria e Shtetit për veprën penale deklarim i rrejshëm. Një gjë të tillë Prokuroria e Shtetit të martën kanë thënë se e kanë nisur për 18 vjeçaren pasi e njëjta e kishte ndryshuar deklaratën përmes të cilës e shfajëson mësimdhënësi Sh.Xh për abuzim seksual siç e kishte denoncuar fillimisht.

Prokuroria e Shtetit përmes një sqarimi ka treguar arsyet që sipas tyre e kishin shtyrë prokuroren rastit ta mbyllnin këtë rast t denoncuar fillimisht si keqpërdorim seksual.

“Bazuar në rezultatet e të gjitha këtyre veprimeve hetimore, prokurori i rastit merr aktvendim për pushimin e hetimeve, të evidentuar me PP/II nr. 5763/17, të dt. 19.01.2018, me arsyetimin se, për rastin në fjalë, meqenëse ka pasur dy (2) deklarata kontradiktore, dhe ekzaminimin mjeko-ligjor, i cili nuk ka rezultuar me ndonjë rezultat konkret, vjen në përfundim se në veprimet e të dyshuarit, Sh. Xh., nuk qëndrojnë elementet inkriminuese për veprën penale, Keqpërdorim seksual, nga neni 235 të KPRK-së.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ky institucion ka thënë se pasi që A.G. e ka ndryshuar deklaratën dhe ka bërë që rasti të mbyllet, prokurorja e rastit ndaj të njëjtës ka bërë kallëzim penal.

“Meqenëse prokurori i rastit ka pasur dy (2) deklarata kontradiktore nga e dëmtuara, prokurori i çështjes përpilon shënim zyrtar, më 19.01.2018, me të cilën kërkon që të inicohet procedurë hetimore ndaj të dëmtuarës, në drejtim të veprës penale, Lajmërimi apo kallëzimi i rremë, nga neni 390 par. 2 lidhur me par. 1, të KPRK-së, dhe kërkon që ky shënim zyrtar të konsiderohet kallëzim penal”, thuhet në komunikatë.

Koha Ditore e ka telefonuar kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka.

Ai i ka thënë gazetës se ka një kallëzim penal ndaj A.G. për lajmërim të rremë, por nuk ka dhënë sqarime se deri kur ka arritur rasti.

“Prokurorja e rastit i ka bërë kallëzim penal. Nuk e di se çfarë ka ndodhur me rastin e as cili prokuror është marrë me këtë rast por ka pasur kallëzim penal ndaj saj”, ka thënë Beka për gazetën.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme