Kronikë

Aktakuzë ndaj mësuesit që ngacmoi seksualisht 27 nxënëse në Gjakovë

Foto: Koha

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.V., nga Komuna e Gjakovës, për veprën penale ‘’keqpërdorimi i personave nën moshën 16 vjeçare’’.

Sipas aktakuzës i pandehuri B.V., që nga shtatori i vitit 2018, në cilësinë e mësimdhënësit të gjuhës shqipe në shkollën fillore ‘’Mazllum Këpuska’’, në Gjakovë, në mënyrë të vazhdueshme ka ngacmuar seksualisht 27 nxënëse të një klase në këtë shkollë, duke përdorur fjalë joshëse e duke i ledhatuar e prekur në pjesë të fytyrës dhe në pjesë të ndryshme të trupit.

LEXO EDHE: Mësuesi në Gjakovë dyshohet për ngacmim seksual të 27 nxënëseve, kërkohet paraburgimi i tij

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar më lartë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, transmeton Koha.net.

Prokurori rastit, ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë që i pandehuri të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.