Kronikë

“Forca e Ligjit” në Shqipëri sekuestron 5.2 milionë euro dhe 7 apartamente

Pas një pauze, operacioni “Forca e Ligjit” rikthehet të godasë grupet kriminale. Këtë herë, siç bëjnë me dije policia e Lezhës, janë sekuestruar rreth 5.2 mln euro llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme të dy shtetasve, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.

Sekuestrot janë rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës që ka referuar materialet procedurale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, bën me dije policia.

Pas kësaj, Prokuroria ka filluar procedimin penal për veprën “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” në ngarkim të dy shtetasve, duke e finalizuar me sekuestro të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë Lezhë me vendim te datës 23 janar 2019.

Sekuestrot janë llogari bankare në vlerë totale rreth 5.2 milionë euro dhe 7 apartamente.

Operacioni “Forca e Ligjit” u përmend një ditë më parë nga nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka. “Edhe ajo luftë (kundër krimit) që kishte filluar në thonjëza me të famshmen ‘Forca e Ligjit’, një ministër paraardhës i Ramës, edhe ajo luftë është ndërprerë”, tha dje Paloka, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, ku u diskutua lidhur me protestat që ka planifikuar të zhvillojë opozita.