Arrestohet në Gjilan i dyshuari për vrasjen e bashkëshortes së tij në Gjermani Foto: Ilustrim

Arrestohet në Gjilan i dyshuari për vrasjen e bashkëshortes së tij në Gjermani

23 January 2019 17:01

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bazë të një urdhër arresti ndërkomëtar të lëshuar nga Gjermania, ka ndaluar të dyshuarin Durmish Raifi, për 48 orë, nën dyshimin se kishte vrarë bashkëshorten e tij më 11 prill 2018 në Essen të Gjermanisë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, “ekziston dyshimi i bazuar që, më 11 prill 2018, në qytetin Essen, në Gjermani, i dyshuari në banesën e tij, e ka vrarë bashkëshorten e tij, tani të ndjerën J.R dhe pas kryerjes së kësaj vepre penale, është larguar nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete edhe dy fëmijët e tij të mitur, njëri i moshës 10 vjeçare, ndërsa tjetri 15 vjeç”.

Gjithashtu, i njëjti pas arratisjes, ka lënë pas vajzën e tij të mitur, të cilës nga autoritetet gjermane, iu ka caktuar kujdestari ligjor.

Në njoftimin për ndalimin e Raifit theksohet se ai pas arratisjes nga organet e ndjekjes, i kishte mbajtur të mbyllur fëmijët e tij.

Autoritetet gjermane ia kanë marrë të drejtën prindërore Raifit dhe aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Essen e ka njohur Gjykata Themelore në Gjilan. Si rrjedhojë, pas arrestimit të të dyshuarit, fëmijët e tij janë stresuar përkohësisht në Strehimoren për Mbrojtjen e Viktimave në Gjilan.

Prokuroria Themelore në Gjilan thotë se brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej 40 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme