Kronikë

Raste të reja të dhunës ndaj grave në Prishtinë, Podujevë, Obiliq e Gjilan

Dhuna ndaj grave vazhdon të jetë në shkallë të lartë, derisa në dy ditët e fundit janë shënuar katër raste të tilla në Prishtinë, Podujevë, Obiliq, dhe Gjilan.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se dy persona janë arrestuar nga këto raste, një burrë e një grua, transmeton Koha.net.

Në Podujevë më 27 dhjetor një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor. Derisa nuk raportohet për të arrestuar nga ky rast.

E në Prishtinë dje rreth orës 17:30 është arrestuar një burrë me dyshimin se ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij.

“Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thotë PK.

Kurse në Obiliq dje rreth orës 12:15 një grua ka raportuar se, “derisa kishte qenë në një Taxi ajo dhe taksisti ishin sulmuar nga ish-burri i saj, i cili kishte qenë së bashku me një shok të tij”.

Policia thotë se viktimat kanë marr tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas sulmit ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Rasti është duke u hetuar.

E në Gjilan, po ashtu më 28 dhjetor, një grua është arrestuar pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht dy viktimat, vëllanë dhe kunatën. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor ndërsa, me urdhër të prokurorit e dyshuara dërgohet në mbajtje.