Aktakuzë ndaj tre të pandehurve për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë Foto: Ilustrim

Aktakuzë ndaj tre të pandehurve për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë

21 December 2018 17:10

Prokuroria Themelore në Prizren - Departamenti për Krime të Rënda përmes një komunikate për media bën të ditur se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: R.K., E.K., dhe A.B., për veprat penale: “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, në kontroll dhe në posedim të paautorizuar të armëve” dhe për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” të KPRK-së.

“Sipas aktakuzës, me datë 13 gusht 2018, rreth orës 16:45 minuta, në Prizren, në rrugën e “Pushkatarëve”, në parkingun“Toni”(pronë e të pandehurit R.K.), i pandehuri R.K., tenton me dashje të privojë nga jeta personin tjetër me ç’rast me dashje e vë në rrezik jetën e personave të tjerë, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të pandehurit E.K., në një anë dhe të dëmtuarit D.B., dhe të pandehurit A.B., dhe familjarëve të tyre në anën tjetër, lidhur me mënyrën e parkimit të automjetit nga ana e babait të dëmtuarit D.B”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Më tutje në komunikatë thuhet se, “i pandehuri R.K., në momentin kur sheh se ka filluar zënka i afrohet vendit të ngjarjes dhe i pajisur me armën e zjarrit pistoletë e tipit “Beretta”, i përvidhet nga pas të dëmtuarit D.B., dhe me një predhë e godet në pjesën e pasme të kokës dhe të qafës, duke i shkaktuar thyerje të kockës dhe plagë shpuese në qafë. Në anën tjetër, nga predha e njëjtë goditen në këmbë edhe të pandehurit A.B., dhe E.K.,, me ç’rast marrin lëndime trupore”.

Prokuroria thotë se me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri R.K., ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë “nga neni 179 paragrafi 1 pika 1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

“Poashtu, i pandehuri R.K., akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll dhe në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 i KPRK-së. Ndërkaq, të pandehurit E.K., dhe A.B., akuzohen për pjesëmarrje në rrahje, e cila ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor të të dëmtuarit D.B., dhe në këtë mënyrë kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”nga neni 190 paragrafi 1 i KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.​

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme