Kronikë

Të shtëna armësh mes policisë dhe hajnit të veturave në Prishtinë

Descriptive Text

Dy policë janë konfrontuar me armë me një hajn të veturave në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Në një njoftim të policisë thuhet se dy zyrtarët të mërkurën pas mesnate në rrugën “Rifat Burgjeviq”, kanë filluar ndjekjen e të dyshuarit që duke vrapuar ka shtënë me armë në drejtim të policëve.

“Me të arritur në vendin e ngjarjes, njësia policore ka vërejtur të dyshuarin, i cili ka filluar të ikë dhe pasi i është vënë në ndjekje policia i dyshuari ka shtënë dy-tri herë me armë në drejtim të zyrtarëve policorë. Njëri nga zyrtarët duke parë rrezikun nga i dyshuari, i është përgjigjur duke shtënë dy herë në drejtim të tij. I dyshuari është ndalur dhe pasi i ka dalë në rrugë zyrtari tjetër policor ka qenë në ndjekje me veturë dhe e ka lënë veturën duke filluar ndjekjen me këmbë. Pas disa metrave ka arritur ta ndalojë dhe i njëjti është arrestuar”, thuhet në raportin e Policisë që e ka parë portali Koha.net.

“Nuk ka të lënduar nga të shtënat me armë, por të dy zyrtarët policorë gjatë arrestimit kanë pësuar lëndime pasi i dyshuari A.E. dhe te i njëjti është gjetur një armë e shkurtër që është konfiskuar nga Forenzika Rajonale”, thuhet në këtë njoftim.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të cilat janë shkrepur gjatë konfrontimit.