Kronikë

30 ditë paraburgim për dy shitësit e marihuanës në Gjakovë

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore duke iu caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurve M.R. dhe A.B. për shkak se kishin shpërndarë, shitur e transportuar marihuanë.

Ata dyshohet se veprën e kishin ushtruar në një afat të pacaktuar në vitin 2018 deri më 8 dhjetor.

“Me këto veprime dyshohet se të pandehurit M.R. dhe A.B. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ të paraparë në Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 08 dhjetor 2018 dhe do të zgjasë deri më 8 janar 2018”, thuhet në njoftim të Themelores në Gjakovë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit në fjalë, ngase, po që se të njëjtit gjendet në liri, ekziston rreziku i ikjes dhe mund të ndikojnë tek dëshmitarët.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.