Kronikë

As pas dy vjet e gjysmë nuk zgjidhet rasti i dy fëmijëve të mbytur në Kolovicë, familja kërkon drejtësi

Kanë kaluar dy vjet e gjysmë, që kur në lagjen Kolovica në Prishtinë, kishin humbur jetën dy fëmijë në një gropë të hapur në këtë vend.

Që nga ajo kohë, ani pse janë gjashtë kallëzime penale, përfshirë këtu edhe ndaj zyrtarëve komunalë dhe ndaj një kompanie ndërtimore nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore. Madje, babai i tyre kishte paraqitur edhe një shkresë, për përshpejtim të rastit, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Ndërkohë, Avokati i Popullit thotë se një rast i tillë do të duhej të zgjidhej, në një afat kohor prej një vit e gjysmë.

Florenta dhe Florenti, ditën e 23 qershorit, para dy viteve, dolën për herë të fundit nga shtëpia. Ata nuk i kthyen më te prindërit e tyre pasi që u mbytën në një gropë e cila ishte lënë e hapur.

Duke mos u kthyer më. Që nga ajo kohë, nuk kalon ditë që babai i tyre Muhamet Mramori, nuk shkon në vendin ku kanë humbur jetën, duke u munduar ta heq mallin për ta.

Para dy vite e gjysmë, vëlla e motër, njëri i moshës 11 e tjetri 13 vjeçare, kishin humbur jetën në mënyrë tragjike në një gropë të hapur kohë më parë në lagjen Kolovica të Prishtinës. Derisa, për Muhametin dhimbja është ende e freskët, ai i lutet Zotit, që ajo që i ka ndodhur atij të mos i ndodh askujt në botë.

“Ne si prind po e kemi të vështirë, tash me e qitë dorën në zemër gjithkush që ka fëmijë e dinë, veç mendja me të shku andej është trishtim me të ndodhë. Po duhej të jetonte njeriu edhe kështu, po për hatër të këtyre tjerëve që janë po duhet me u bë i fort. Kur po e sheh që kanë shkuar fëmijët dhe janë bë sikur mos me ekzistu kurrë, kjo po na e vështirëson edhe më shumë”, shprehet ai.

Ai për KosovaPress ka treguar, se ani pse i kishin premtuar mbështetje institucionet shtetërore, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë.

Madje, ai tregon se janë paraqitur gjashtë kallëzime penale, megjithatë, rasti i fëmijëve të tij, ka mbetur aty ku ka qenë.

Muhameti ka rrëfyer se dhimbjen ia shton edhe më tepër neglizhenca e institucioneve shtetërore.

“Dy fëmijë shkuan, dy vjet e gjysmë po bëhen, asnjëherë asnjë seancë nuk u mbajtë. As nuk më kanë thirrë ndonjëherë me më thanë së paku si ka ndodh, nuk e di çfarë drejtësie është kjo. Nuk mundet me qenë kjo, për dikë po zgjidhet brenda dy-tre muajve rasti. Fëmijët e mi dy shkuan e i kanë lanë si asgjë, si mos me ekzistuar fëmijët kurrë. Nuk është e lehtë as për prindërit e as për askënd. Së paku drejtësia m’u vendos. Më shumë nuk po dua, veç le të ketë drejtësi për krejt barabartë”, u shpreh ai.

Mramori druan se fakti që në këtë rast janë të përfshirë edhe zyrtarë shtetërorë, ky rast është zvarritur tash e sa kohë.

Se ky rast po zvarritet nga institucionet e vendit, thotë edhe avokati i familjes Mramori, Skender Musa. Madje si i tillë tashmë ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm. Sipas tij një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte.

“Mirëpo, vet fakti që kjo lëndë ka shkuar në Departamentin e Përgjithshëm konsiderojmë se është bërë gabim, për shkak se kjo lëndë është dashur të shkojë ose në Prokurorinë Speciale të Kosovës ose në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Konsiderojmë që është mirë që këtë çështje ta trajtojë Prokuroria Speciale e më së paku ta trajtojë Departamenti i krimeve të rënda, për shkak se natyrat e këtyre veprave nuk duhet t’u lejohen Departamentit të Përgjithshëm. Departamentet e Përgjithshme janë të natyrave të lehta dhe zakonisht janë të ngarkuara me shumë kallëzime penale të treguara nga qytetarët dhe Policia për veprat rutinore që i kryejnë, të shumtën e herëve nga adoleshentët”, tha Musa.

Muhamet Mramori, kishte paraqitur edhe një shkresë për t’u takuar me zyrtarë të Prokurorisë së Shtetit, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

KosovaPress, ka provuar të marrë një përgjigje nga zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu, mirëpo ky i fundit nuk iu është përgjigjur pyetjeve.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka thënë për KosovaPress, se ky rast do të duhej të zgjidhej më së shumti për një vit e gjysmë, në të kundërtën është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Afati zakonisht i këtyre natyrave ose i rasteve të ngjashme, është një vit, një vit e gjysmë që do të duhej të përfundonin të gjitha shkallët, për me marrë një përgjigje meritore dhe për të gjitha me marrë një kompensim adekuat për shkak se shteti u gjet në shkelje të të drejtave të njeriut. Por, një sistem i tillë ende nuk është arrit, Kosova vazhdon të jetë e këtillë”, ka thënë ai.

Derisa, institucionet e vendit të fillojnë ta marrin seriozisht këtë rast, lutja e vetme e Muhamet Mramorit, është që të vendoset drejtësia për dy fëmijët e humbur tragjikisht.