Digjnin barna të skaduar e mbetje medicinale, dy të akuzuar

Shahadije Bikliqi – Dragaçina 05 dhjetor 2018 19:24

Nga viti 2014 e deri javë më parë, drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Novobërdë bashkë me një zyrtar tjetër të kësaj qendre kanë djegur barna me afat të skaduar në një furrë të ndërtuar në oborr të QKMF-së, raporton KTV.

Asgjësimi i mbetjeve medicinale pa kontroll adekuat është i ndaluar.

Për këtë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Rrahim Veliut dhe Lulzim Llapashticës për veprën penale ‘’Ndotje, degradim ose shkatërrim i mjedisit”.

Për katër vjet me radhë, në oborrin e kësaj Qendre të Mjekësisë Familjare në Novobërdë, u dogjën mbetjet medicinale dhe barna të llojeve të ndryshme me afat të skaduar.

Ky veprim i kundërligjshëm ishte bërë në vazhdimësi, me iniciativë të vetë drejtorit të ambulancës Rrahim Veliu, në bashkëpunim edhe me stafin tjetër mjekësor.

Për këtë, Prokuroria Themelore në Gjilan, ngriti aktakuzë ndaj Veliut dhe Lulzim Llapashticës, laborant në këtë qendër.

Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar KTV-ja, të pandehurit dyshohet se kanë shkaktuar ndotje dhe degradim të ajrit, ujit dhe tokës duke rrezikuar kështu shëndetin e banorëve që jetojnë përreth.

“Nuk e di se prej kur kanë filluar t’i asgjësojnë barnat, por e di se janë shkatërruar disa barna në furrën e cila gjendet në oborrin e QKMF-së në Novobërdë. Unë nuk e di se kush e ka ndërtuar dhe kur është ndërtuar, por e di se aty janë shkatërruar disa barna me afat të skaduar dhe mbetjet medicinale. Ne nuk kemi mbajtur evidencë për barnat me afat të skaduar dhe mbetjet medicinale. Kur grumbulloheshin një sasi e barnave me afat të skaduar në dhomën e QKMF-së, ato më pas barteshin dhe dërgoheshin në furrë për t’u shkatërruar.”

Pos barnave të zakonshme, aty janë djegur edhe ato me përmbajtje narkotike.

“Nuk kemi mbajtur evidencë edhe atëherë kur janë shkatërruar barna me përmbajtje narkotike, si morfinë, edhe atë në formë ampule. Edhe ky bar është shkatërruar bashkë me barnat tjera.”

Banorët janë në dijeni për djegien e këtyre mbetjeve medicinale.

Veliu, gjatë qëndrimit të Kohavisionit në këtë qendër, nuk ishte në vendin e tij të punës, por një infermiere ka thënë se ai ndodhet në një trajnim.

Vetë Veliu nuk iu është përgjigjur as thirrjeve të televizionit, por KTV-ja ka mësuar se ai dhe Llapashtica tashmë kanë pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Megjithatë, zyrtarë në Prokurori kanë thënë se ende nuk ka një aktgjykim përfundimtar për këtë rast.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme