Kronikë

Dy zyrtarë të Novobërdës me aktakuzë për ndotje të mjedisit

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, pas zhvillimit të hetimeve, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve RR.V. dhe L.LL., për shkak të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, njofton kumtesa, transmeton Koha.net.

Sipas aktakuzës, që nga fillimi i vitit 2014, deri në muajin nëntor 2018, në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Novobërdë, të pandehurit si persona zyrtarë dhe në kundërshtim me ligjin, kanë bërë ndotjen dhe degradimin e ajrit, ujit dhe tokës.

Ata, duke u koordinuar mes vete dhe pa leje nga organet kompetente, si dhe duke angazhuar edhe personel tjetër nga QKMF-ja, kanë bërë asgjësimin e mbetjeve medicinale dhe barnave të llojeve të ndryshme me afat të skaduar, duke i djegur, me ç’rast si pasojë e kësaj është shkaktuar rrezik i madh për jetën dhe shëndetin e njerëzve, botën bimore dhe shtazore.

Prokuroria, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për këtë vepër penale dhe të njëjtit t’i gjykojë sipas ligjit.