Kronikë

Në kishën në Gërnçar të Kllokotit u vodhën 16 euro

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se në kishën në fshatin Gërnçar të Kllokotit të hënën janë vjedhur 2000 dinarë, apo rreth 16 euro.

Lidhur me këtë ngjarje, policia thotë se pas hetimeve të para dyshohet se personi/at i/e dyshuar kanë hyrë përmes dritareve për të kryer vjedhjen.

“Në vendin e ngjarjes përveç njësiteve për hetimin e krimit, njësitit të forenzikes së nivelit rajonal, janë angazhuar edhe njësite policore nga krimet e rënda të nivelit qendror, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarr sipas procedurave të parapara ligjore dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, është intervistuar pala ankuese i cili ka deklaruar se përpos dëmtimit (thyerjes) së dy dritareve dhe vlerës së parave të cekura nuk është shkaktuar ndonjë dëm tjetër”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës

Në fund, Policia ka thënë se e ka në e përditshëm të punës së saj luftën kundër të gjitha llojeve të krimit, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike. Ka ftuar të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla (tel. 192).