Kronikë

Policia e Kosovës flet për shifra alarmante të rasteve të vjedhjeve muajve të fundit

6 televizorë i janë vjedhur të premten mbrëma Nuhi Gërgurit në biznesin e tij në Bardh të Madh të Fushë Kosovës.

Gërguri ka treguar se 4 persona të armatosur kanë arritur të hynin në bastore, duke e kërcënuar edhe rojtarin, raporton KTV.

Ai thotë se nuk është i përfshirë në konflikt me askënd, por dyshon se kjo po i bëhet qëllimisht.

Veç kësaj, Gërguri ka treguar se kjo nuk është hera e parë që po sulmohen bizneset e tij.

Herën e fundit, biznesi i tij është grabitur vitin e kaluar, duke e dëmtuar materialisht atë, për çka Policia ende nuk i ka zbuluar akterët e vjedhjes.

Sipas Gërgurit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes një orë me vonesë.

Në lidhje me rastin e grabitjes në fshatin Bardh i Madh, Policia e Fushë Kosovës nuk kanë dashur të flasin për rastin.

Gjatë periudhës janar-tetor 2018, sipas Policisë së Kosovës në regjionin e Prishtinës, kanë ndodhur 59 raste të grabitjeve të armatosura.

“Policia, pas hetimeve intensive në zbardhjen dhe arrestimin e kryerësve të këtyre veprave, ka goditur 13 grupe kriminale, të cilat dyshohet që janë përfshirë në këto raste. Janë arrestuar 32 persona të dyshuar të cilët janë në paraburgim (prej tyre ka persona që dyshohet se kanë kryer më shumë se dy grabitje), kurse 6 të dyshuar të tjerë, të identifikuar nga policia, janë në arrati”, thuhet në përgjigjen nga zyra për Informim e PK-së në Prishtinë.
Nga Zyra për Komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, bëjnë të ditur se janë ngritur 20 aktakuza për rastet e grabitjeve ndaj 46 të dyshuarve vetëm gjatë vitit 2017 dhe 2018.

Kështu, në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, janë ngritur tri aktakuza për 8 persona.

Në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës janë ngritur 2 aktakuza për tre persona, derisa në atë të Gjilanit 5 aktakuza për 18 persona.

Në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, janë ngritur 7 aktakuza për 17 persona, përderisa në atë të Gjakovës, janë ngritur 3 aktakuza, por nuk dihet për sa persona të dyshuar.

Ndërkaq, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk kanë dhënë informacione për rajonin e Prishtinës.