Kronikë

Aktakuzë për grabitje në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.B., për shkak të veprës penale “Grabitje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., si anëtarë i grupit të armatosur, me kanosje serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, së bashku me të pandehurit S.M dhe Z.B., tentojnë të përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër.

Ata më 19.05.2018, rreth orës 22:25 min., me veturë shkojnë te shtëpia e të dëmtuarit S.M., në fshatin Gjinoc- Suharekë, vendosin maskat në fytyrë dhe duke përdorur armë të shkurta dhe të gjata futen në korridorin e shtëpisë së të dëmtuarit.

Në momentin e ballafaqimit me të dëmtuarin, të njëjtin e kërcënojnë duke ia drejtuar armët, dhe gjatë përleshjes dhe rezistencës së të dëmtuarit shkrepin me armë dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.