Kronikë

Gjykimi për rastin e Antigona Morinës po shkon drejt fundit, mbrojtja kërkon dënimin e ish-burrit të saj

Drejt fundit është duke shkuar rigjykimi në rastin e Antigona Morinës.

Pas dhënies së dëshmisë së dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët kishin qenë në vendin e ngjarjes në ditën kritike të vdekjes së të ndjerës, u dhanë fjalët përfundimtare, raporton KTV.

Kur i erdhi radha të akuzuarit, ish-bashkëshortit të Antigonës, Hilmi Zenaj, të thotë fjalën e tij të fundit para gjykatës, avokati i tij kërkoi që i njëjti të mbrohet në heshtje.

Prokurori Ramiz Buzhala i propozoi gjykatës që Hilmi Zenën ta shpalle fajtor, pasi siç ka thënë, të gjitha dëshmitë dhe provat tregojnë se ka elemente të veprës penale.

Edhe mbrojta e familjes së dëmtuar kërkoi dënimin e Hilmi Zenajt në bazë të ligjit, i cili atë e ngarkon për veprën penale të shkeljes së detyrimeve familjare.

Sipas avokates Fehmije Gashi-Bytyqi, gjykata nuk duhet të lejojë që i pandehuri të shpallet sërish i pafajshëm.

Ajo hodhi kritika në organet e drejtësisë se si e kanë anashkaluar faktin se Antigona në vend se të dërgohej te mjeku, ajo në ditën e dytë të martesës e dërgua te shehu.

Por, pothuajse gjatë gjithë kohës së fjalës përfundimtare të avokatit të familjes Morina, Hilmi Zenaj buzëqeshte me ironi për çka mori vërejtje.

Mbrojtja e të pandehurit i sugjeroi gjykatës se në marrjen e vendimit përfundimtar duhet të ketë parasysh faktin se Zenaj është gjysmë analfabet.

Aktgjykimi në këtë rast pritet të shpallet të enjten.

Antigona Morina vdiq gjashtë vjet më parë nga hemorragjia e vazhdueshme, ndërsa në gjykimin e shkallës së parë Zenaj ishte shpallur i pafajshëm.