Kronikë

Mësimdhënësi rrah drejtorin e shkollës në Bujan të Lipjanit

Pas një mosmarrëveshje është rrahur brenda objektit të shkollës, Astrit Buja, drejtor i shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulës “Nezë Bujani” në fshatin Bujan të Komunës së Lipjanit. Atë e ka goditur mësimdhënësi i lëndës së Kimisë, (J.M).

Lajmin për gazetën “Koha Ditore” e ka konfirmuar vetë drejtori i kësaj shkolle Astrit Buja i cili tashmë ka dhënë edhe një deklaratë në Stacionin e Policisë në Lipjan rreth kësaj çështje.

“Prej më shumë se dy vjet ky mësimdhënës ka telashe së pari me vetveten e pastaj nuk e respekton orarin e punës dhe nuk ka sjellje të mira brenda objektit të shkollës. Disa herë kam drejtuar edhe shkresa zyrtare në komunë rreth disiplinës së tij, mirëpo sërish ka veprime jo të mira. Ndërkohë, sot derisa ishim duke biseduar brenda objektit të shkollës më ka goditur në mënyrë tinëzare dhe ka ikur nga shkolla, pastaj e kam njoftuar Policinë dhe Komunën”, ka thënë Buja.

Ai ka shtuar se ky mësimdhënës është i rrezikshëm edhe për nxënësit. Sipas Bujës, duhet të merren masa urgjente ndaj tij. Gazeta ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga mësimdhënësi i kimisë (J.M), mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.

Nga ana tjetër Rasim Hasani, drejtor i Arsimit në komunën e Lipjanit ka thënë se është njoftuar me rastin, ndërkohë do të merren gjatë ditës së nesërme.

“Jam njoftuar me këtë rast dhe nëse drejtori ka dërguar shkresa për disiplinën e këtij mësimdhënësi, atëherë ne do t’i shqyrtojmë. Gjatë ditës së sotme kemi qenë të ngarkuar me mbledhjen e Kuvendit, ndërkohë nesër do të merremi me këtë rast”, ka thënë Hasani.

KD-ja ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, mirëpo ajo nuk ka qenë e qasshme./Agim Ademi