Kronikë

“Babalja” nuk do të hetohet nga Krimet e Rënda

Pas një seri marrjesh në pyetje për audiopërgjimin “Babalja”, Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi që të gjithë dosjen t’ia transferojë Prokurorisë së Tiranës për shkak se vepra penale nuk cilësohet krim i rendë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda hoqi dorë nga hetimi i mëtejshëm i dosjes penale të pagëzuar si Babalja, duke ia kaluar për kompetencë, Prokurorisë së Tiranës.

Ky transferim është bërë pasi akuza e kallëzimit të rremë që është objekt i kësaj dosje nuk është kompetencë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, raporton tch.

Për këtë arsye tani mbi fatin e kësaj dosje do të vendosë Prokuroria e Tiranës në bazë të materialeve që i janë deleguar nga Krimet e Rënda.

Aktualisht për këtë çështje Prokuroria e Krimeve të Rënda me miratim të Gjykatës ka lëshuar dy fletë arresti për Fredi Alizotin të arrestuar që dyshohet se ka imituar zërin e vëllait të ministrit të brendshëm në një bisedë të përgjuar me Albert Veliun të njohur ndryshe edhe si “Babalja”, i cili ndodhet në Kosovë dhe për të cilin kanë nisur procedurat e ekstradimit.

Gjithashtu në gjendje të lirë për këtë çështje hetohen edhe gazetari Jetmir Olldashi si dhe deputeti i PD Ervin Salianji. Ndërkohë që hetimi për kallëzim të rremë i është deleguar Prokurorisë së Tiranës, Krimet e Rënda vazhdojnë të mbajnë procedimin tjetër të nisur pas publikimit të këtij audio-përgjimi, për trafik narkotikësh, pasi në bisede “Babalja” flet per sigurimin e një sasie kanabisi për ta trafikuar.

Por deri më tani për këtë dosje nuk ka asnjë person të proceduar.