Kronikë

Digjen 9 vetura në Elbasan

Një zjarr ka rënë gjatë orëve të natës mes të hënës dhe kësaj të marte në një servis makinash në lagjen “Skënderbej” të qytetit të Elbasanit, duke shkaktuar djegien e 9 vetura.

Servisi, që shërben njëkohësisht edhe si pikë shitjeje automjetesh, rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Elton Kila, ndërkohë që automjetet e tjera të ndodhura aty janë sekuestruar, transmeton tch.

Në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë dhe zjarrfikëses, duke bërë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit, ndërkohë që ende po punohet për shkaqet e rënies së zjarrit.

Elton Kastriot Kila, 37 vjeç, banues në lagjen “Qemal Stafa” të qytetit të Elbasanit është arrestuar pak kohë më parë nga forcat e rendit të qytetit të Elbasanit, me qëllim ekstradimin e tij në Itali.

Në fqinjin e përtej Adriatikut, ndaj Kilës ishte lëshuar një urdhërndalimi ndërkombëtar nga Prokuroria e Pescarës, si i dyshuar për veprat penale të “organizatës kriminale”, “trafikimit të narkotikëve”, “mashtrimit” dhe “kallëzimit të rremë”.