Policia në Prishtinë me aksion të gjerë, arreston pesë persona për vjedhje Foto: Koha / ilustrim

Policia në Prishtinë me aksion të gjerë, arreston pesë persona për vjedhje

15 tetor 2018 16:39

Njësitet policore të rajonit të Prishtinës, në kuadër të intensifikimit të masave të marra në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike si dhe goditjes së individëve dhe grupeve kriminale, kanë organizuar punën e tyre me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikimin, zbulimin, grumbullimin e saktë të informacioneve mbi vendstrehimin e këtyre personave, mbajtjen nën kontroll të vazhdueshëm të lidhjeve të tyre, si dhe organizimin e operacioneve të kualifikuara policore të zhvilluara për ketë qëllim.

Një operacion i gjerë policor i shtrirë në kuadër të rajonit të Prishtinës, duke përfshirë edhe qytete të tjera të Kosovës, është realizuar sot në orët e mesditës me ç’rast janë arrestuar pesë persona të dyshuar, për të cilët ekzistojnë baza të dyshimit që sugjerojnë se të njëjtit mund të jenë të përfshirë në raste të ndryshme të grabitjeve të ndodhura në kohë dhe vende të ndryshme të rajonit të Prishtinës si dhe më gjerë.

“Konform kompetencave policore në kuadër të këtij operacioni, me autorizim të prokurorit të shtetit, janë kryer edhe bastisje në disa lokacione, ku policia ka gjetur dhe sekuestruar një revole, disa vetura, të cilat dyshohen të jenë të përdorura apo të përfituara në forma të inkriminuara në rastet, të cilat po hetohen nga ana e policisë, si dhe gjësende të tjera të cilat mund të shërbejnë si dëshmi dhe prova të rëndësishme në procedurë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia thotë se operacioni është duke vazhduar, ndërsa personat e arrestuar do të procedohen më tej varësisht nga rekomandimet e prokurorit të shtetit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme