12 muaj burgim për burrin që pranoi që me qëllim e goditi me makinë në trotuar një tjetër

12 muaj burgim për burrin që pranoi që me qëllim e goditi me makinë në trotuar një tjetër

12 tetor 2018 18:04

Gjykata Themelore në Pejë, e ka dënuar me 12 muaj burgim të akuzuarin për tentim vrasje, Sami Berisha.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të premten, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohej.

Në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe periudha e qëndrimit në paraburgim nga 20 gusht 2018, deri me 12 tetor 2018.

Ai është ngarkuar edhe me pagesën e shpenzimeve procedurale në shumë prej 50 eurosh, paushallin gjyqësor 25 euro dhe taksën për kompensimin e viktimave në shumë prej 50 eurosh.

Gjykatësi i rastit, Sali Berisha, të akuzuarit Sami Berisha ia ka ndërprerë masën e paraburgimin deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Para se të shpallej aktgjykimi, dhe pas pranimit të fajësisë, i akuzuari Berisha, ka thënë se ndien keqardhje për rastin që ka ndodhur dhe se është penduar, duke i kërkuar falje të dëmtuarit.

Pranimin e fajësisë, e ka përkrahur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sami Berisha, avokati Armand Krasniqi, i cili ka kërkuar që klienti i tij, të lirohet nga paraburgimi, pasi sipas tij, kanë pushuar të gjitha arsyet ligjore që ai edhe më tutje të qëndrojë nën këtë masë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, nuk e ka kundërshtuar as prokurori i rastit, Ardian Hajdaraj si dhe përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarit Muharrem Berisha, avokati Blerim Ademi.

Sipas aktakuzës së ngritur me 27 shtator 2018, nga Prokuroria Themelore në Pejë, pretendohet se i pandehuri Sami Berisha, më 20 gusht 2018, rreth orës 07:40, në fshatin Kryshec, në Komunën e Deçanit, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin, Muharrem Berisha.

Sipas aktakuzës, në ditën kritike, i pandehuri me veturën e tij të tipit “Tauran”, pasi që e kishte vërejtur viktimën në trotuar, e sulmon furishëm me veturë dhe e godet në trup duke e përplasur për tokë, e ku më pastaj largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktimën disa kalimtarë e kanë dërguar në Qendrën Mjekësisë Familjare në Deçan, si dhe në Spitalin Regjional në Pejë.

Me këtë veprim, ai akuzohej se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë, nga neni 178 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Betimi për Drejtësi

Komentet

Shto koment

Të ngjashme