Dënohet me 3 vjet e 4 muaj burg shqiptari trafikant droge në Britani

Dënohet me 3 vjet e 4 muaj burg shqiptari trafikant droge në Britani

12 tetor 2018 14:43

Një i ri shqiptar është dënuar me tri vjet e katër muaj burg nga gjykata në Plymouth të Britanisë pasi u kap duke trafikuar kokainë, bën të ditur abcnews. Olsi Dama, 29 vjeç e pranoi para gjykatës, ku ishte paraqitur së bashku me një përkthyes, se kishte trafikuar 1 kilogramë drogë të klasit A në një parking makinash.

“Doje të bëje para lehtësisht. Të bënë një ofertë të cilën nuk mund ta refuzoje, por kjo është lojë e rrezikshme”, tha gjykatësi që dha vendimin, Jason Newton-Price.

Ai u arrestua rreth orës 4 të mëngjesit më 14 Gusht. Dama ishte paguar rreth 500 paund për të transportuar një makinë “Volvo” nga një person që kishte takuar në një restorant në Londër.

Avokati mbrojtës i Damës tha se i riu ishte emigrant i paligjshëm dhe se ai kishte qenë nën presion nga të tjerët. Sipas avokatit, 29-vjeçari ishte drejtuar nga parkingu i makinave sepse kështu ishte urdhëruar nëpërmjet mesazheve.

Në treg kokaina do të kishte një vlerë deri në 100 mijë paund. Ndërkohë Olsi Dama pasi të mbarojë së vuajturi dënimin, pritet të deportohet në Shqipëri.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme