Kronikë

Në Fier laboratori për kultivimin e bimëve narkotike

Policia në Fier të Shqipërisë, ka realizuar operacionin e koduar "Llampa", me ç’rast ka zbuluar një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike, si dhe ka arrestuar në flagrancë 8 persona, Kurse, një tjetër është shpallur në kërkim.

Gjithashtu janë ndaluar dy zyrtarë për veprat penale moskallëzim krimi dhe shpërdorim i detyrës, njëri me detyrë lexues i matësit të energjisë elektrike në ndërmarrjen OSHEE në Fier, përgjegjës për lagjen Kastriot dhe tjetri me detyrë përgjegjës grupi elektricistësh në ndërmarrjen OSHEE në Fier.

Polica thotë se ka marrë informacion se në një shtëpinë private tre katëshe në pronësi të shtetasit P. B. në lagjen "Kastriot" në Fier, mund të zhvillohej veprimtari e paligjshme në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

“Si rezultat u bë e mundur kapja ne flagrancë e 8 personave, 6 burra dhe 2 gra, të cilët gjendeshin në ambientet e banesës tre katëshe në pronësi të shtetasit Piro Bare në lagjen "Kastriot", ku në katin e dytë dhe të tretë të saj ishin duke kultivuar bimë narkotike”, thuhet në njoftimin e Policisë.