Aktakuzë për vrasësin e bashkëshortes dhe vajzës në Gjakovë

Aktakuzë për vrasësin e bashkëshortes dhe vajzës në Gjakovë

27 shtator 2018 10:57

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj Pjetër Nrecajt për vrasjen e bashkëshortes Valbona Nrecaj dhe vajzës së tyre.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë i akuzuari më 07 gusht, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes së viktimës, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten dhe vajzën e tij.

“I akuzuari P.N ka shkuar në shtëpinë e vëllëzërve të viktimës i armatosur, ku ka qëlluar më pushkën automatike në drejtim të shtëpisë, si dhe, ka qëlluar me armë bashkëshorten dhe vajzën e tij, të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

I akuzuari P.N, akuzohet për dy vepra penale “vrasje e rëndë” dhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Në fillim të muajit shtator tre policë të Gjakovës janë suspenduar për shkak se dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ në rastin e vrasjes së Valbona Nrecajt dhe vajzës së saj.

Prokuroria në Gjakovë ka konfirmuar për KTV-në se dy policët N.P. dhe P.P. kishin tejkaluar autorizimet e tyre kur në qershor të këtij viti kishin shkuar bashkë me të dyshuarin për vrasje, Pjetër Nrecaj, dhe i kishin marrë fëmijët nga nëna për t’ia lënë babait në përkujdesje.

Shkelje dhe vepër penale dyshohet të ketë kryer edhe hetuesja e rastit me inicialet L.Z.

Më 13 gusht të këtij viti, KTV-ja kishte raportuar pikërisht se si i dyshuari për vrasjen e dyfishtë të gruas dhe vajzës së tij, Pjetër Nrecaj, kishte arritur t’i marrë fëmijët nën përkujdesje pa vendim të gjyqit, vetëm me ndërmjetësimin e policisë.

E ndjera Valbona Nrecaj kishte kërkuar ndihmën e Qendrës për Punë Sociale që t’i takonte fëmijët por meqë ajo e kishte kërkuar shkurorëzimin, bashkëshorti ia kishte ndaluar nënës t’i shihte fëmijët.

Brenda rreth një muaji, Inspektorati Policor ka marrë dy vendime kundërthënëse lidhur me këtë vrasje të dyfishtë.

Në njoftimin e lëshuar më 16 gusht të këtij viti, Inspektorati kishte thënë se nuk e kishte gjetur ndonjë veprim të kundërligjshëm në trajtimin e këtij rasti. Pak ditë më vonë njoftoi se tre zyrtarë policorë duhej të suspendoheshin si të dyshuar për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme