Kronikë

Gjashtë policë shqiptarë në pranga për trafikim me refugjatë në kufi me Greqinë

Policia shqiptare tha të enjten se arrestoi gjashtë punonjës policie në Pikën Kufitare të Kakavijës, më e madhja që lidh Shqipërinë me Greqinë. Sipas policisë, pas një hetimi disa mujor Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm Policor ka goditur veprimtarinë e paligjshme të ushtruar nga 6 punonjës policie dhe disa shtetas të tjerë në vijën e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Sipas burimeve zyrtare policore, punonjësit e policisë të arrestuar akuzohen për shpërdorim detyre, duke lehtësuar kalimin e paligjshëm nëpërmjet vijës së gjelbër, kundrejt shpërblimit, për shtetas të ndryshëm që kanë patur probleme me lëvizjen në Zonën "Shengen".

Për disa muaj me radhë, efektivë të Shërbimit te Kontrollit të Brendshëm Policor kishin mbajtur nën vëzhgim, përgjuar dhe kryer veprime simuluese, për të dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të tyre. Gjykata e Rrethit gjyqësor Gjirokastër vendosi për punonjësit e policisë masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Të rinjtë shqiptarë vijojnë të emigrojnë në Greqi pa dokumente qëndrimi duke shfrytëzuar rrjetet e trafikut me shpresën për një punësim sezonal sidomos gjatë stinës turistike. Ata ose paguajnë ryshfet në këmbim të kalimit nga Pikat kufitare ose përmes shtigjeve malore të kufirit të gjelbër shqiptaro grek depërtojnë në territorin grek duke udhëtuar edhe për disa ditë në këmbë.

Sipas policisë greke, në tetë muajt e parë të vitit 2018 shqiptarët zinin pjesën dërrmuese të refugjatëve të huaj që ishin dëbuar nga Greqia. Rritja e papunësisë në Shqipëri shihet si nga faktorët kryesorë të emigrimit pa dokumente të të rinjve shqiptarë drejt Greqisë fqinje. Megjithëse Greqia dhe Shqipëria kanë një marrëveshje për punësimin sezonal, të firmosur gati 20 vite më parë, ajo asnjëherë nuk është zbatuar në praktikë nga autoritetet greke.