Kronikë

7 të arrestuar për vjedhje të 400 litrave naftë

400 litra derivate janë vjedhur në punishtet e Bechtel-Enkës, aty ku është duke u ndërtuar autostrada që e lidh Prishtinën me Shkupin.

Policia ka arritur të arrestojë shtatë persona, të cilët dyshohet se në mënyrë të organizuar kanë kryer vjedhjen e derivateve dhe materialeve tjera në këtë vendpunim. KTV-ja merr vesh se gjashtë nga këta persona janë punëtorë të kësaj kompanie.

Punëtorët që ishin në vendin e tyre të punës gjatë të mërkurës kanë thënë të mos kenë dëgjuar se po ndodhin vjedhje brenda punishtes.

Megjithatë, punëtorë të tjerë që kanë refuzuar të flasin para kamerës kanë thënë se vjedhin derivate për t’i shitur ato, meqë, siç janë shprehur, pagat që marrin janë tepër të vogla dhe nuk iu mjaftojnë.

Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim nga kompania Bechtel&Enka, por zyrtarë të saj nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.