Kronikë

Kthehet në rigjykim rasti i tre të miturve për vrasjen e Aulon Zekës

Prishtinë, 17 gusht - Gjykata e Apelit e Kosovës, duke vepruar sipas ankesave, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 16.04.2018, në rastin e të miturve G.H.(djali i ish-drejtorit të Muzeut të Kosovës, Arbër Hadrit) R.G., dhe L.Ll. dhe çështja i është kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje.

Personat në fjalë ishin shpallur fajtor nga shkalla e parë për rastin e vrasjes së të riut Aulon Zeka.:

G.H. për veprat penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 dhe ”Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve“ nga neni 374 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, më ç ‘rast ishte dënuar më nëntë vjet e gjashtë muaj burgim,

E mitura R.G. për veprën penale “Dhënie e ndihmës se kryesit, pas kryerjes se veprës penale”, nga neni 388 i të njëjtit kod. Asaj gjykata i kishte shqiptuar masën edukuese – dërgim në institucionin edukativo - korrektues, në kohëzgjatje prej tre vjetëve.

Ndërsa të mituri L.Ll. për shkak të veprës penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve” nga neni 386 i po këtij kodi, i ishte shqiptuar masa edukuese e mbikëqyrjes se shtuar të organit të kujdestarisë, në kohëzgjatje prej një viti e gjashtë muaj,

Kolegji prej tre gjyqtarësh i Gjykatës se Apelit, pasi vlerësoi pretendimet në ankesat e ushtruar, por edhe sipas detyrës zyrtare, gjeti se aktgjykimi i gjykatës se instancës më te ulët duhet të anulohet, pasi që i njëjti përfshihet në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parapara ne nenin 384 të Kodit të Procedurës Penale.