Kronikë

Policia punoi dy muaj për arrestimin e Millosheviqit

Pas gati tri vitesh në arrati dje në Prishtinë është arrestuar 38 vjeçari nga Podgorica, Mario Millsoheviq, i cili ndiqej për shkak të dyshimeve se ka marr pjesë në vrasjen e Radomir Gjuriqkoviqit, më 10 tetor të vitit 2016.

Mediat në Mal të Zi raportojnë se policia ka arrestuar edhe Gjorgje Paviqeviqin nga Nikshiqi , i cili është arratisur më 3 korrik të këtij viti nga një qendër spitalore e i cili ishte në paraburgim për shkak të një rrëmbimi të kryer më 15 shtator 2015 në Kotorr të Malit të Zi.

Arrestimi i dy shtetasve të Malit të Zi sipas Policisë malazeze është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm me Policinë e Kosovës.

Burime nga Policia e Malit të Zi i kanë thënë gazetës së Podgoricës “Vijesti” se aksioni për arrestimin e Millosheviqit ka zgjatur dy muaj.

“Me rastin e arrestimit Mario Millosheviqi ka qenë i armatosur, derisa gjatë kontrollit nga Policia janë gjetur armë dhe drogë. Përveç për vrasje Millosheviqi nga policia e Malit të Zi kërkohet edhe për dyshimet se ka marrë pjesë në shumë eliminime të njerëzve në territorin e Malit të Zi që janë si pasojë e konflikteve në mes bandave kriminale”, kanë thënë për “Vijesti” burimet e Policisë.

Sipas Policisë së Malit të Zi për vrasjen e Gjuriçkoviqit edhe më tutje po kërkohen Igor Mashanoviqi (22 vjeçar) dhe Vukan Vujaçiqi (23 vjeçar).

Sipas aktakuzës drejt Gjuriqkoviqit ka shtënë i akuzuari Mashanoviq. Prokuroria pretendon se Millosheviq i ka dhënë paratë për blerjen e veturës me të cilën natën e vrasjes e ka drejtuar i akuzuari Vujaçiq.

Përveç dy shtetasve të Malit të Zi dje në lagjen Kalabria janë arrestuar edhe një shtetas i Serbisë dhe një 23 vjeçare nga Bukoshi i Suharekës, Laureta Zyba.