Kronikë

Sezoni i ahengjeve, nisin të shtënat

Policia e Kosovës, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, ka arrestuar dy persona në Gjilan dhe Vushtrri për shkak të të shtënave nëpër ahengje.

Sipas Policisë, një i dyshuar gjatë një ahengu familjar në shtëpinë e tij ka shtënë në ajër me armë zjarri në Gjilan.

“I dyshuari ka pranuar veprën me ç’rast ka dorëzuar armën me gazë me një karikator dhe një fishek e cila është konfiskuar nga policia. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe janë konfiskuar tri gëzhoja si dëshmi materiale. Pas intervistimit me vendimin e prokurorit, i dyshuari lirohet kurse rasti mbetet të hetohet”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërsa, në Vushtrri, është arrestuar një person, pasi në oborrin e një restoranti ku kishte një aheng ka shtënë me armë zjarri.

I dyshuari e ka pranuar dhe ia ka dorëzuar njësitit policor armën me gaz me një karikator të zbrazët.

Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia policore, ku ka gjetur dhe ka konfiskuar 43 gëzhoja.

Pas intervistimit me vendimin e prokurorit, i dyshuari lirohet, kurse rasti mbetet të hetohet.