Shkodër, gjenden të vrarë burrë e grua

Shkodër, gjenden të vrarë burrë e grua

15 korrik 2018 08:47

09:55 - E plotësuar: Një krim i dyfishtë ka tronditur qytetin e Shkodrës mëngjesin e kësaj të diele. Një ish-punonjës policie dhe bashkëjetuesja e tij janë vrarë me armë zjarri brenda në automjetin e tyre, në sy të fëmijës një vjeç e gjysmë.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Rruga e gjerë”, në afërsi të qendrës së qytetit, poshtë pallatit ku banonte çifti. 35-vjeçari Boran Bercama dhe bashkëjetuesja e tij janë qëlluar me armë zjarri, pistoletë, nga një distancë e afërt, sapo kanë zbritur nga banesa e tyre dhe në momentin që kanë hyrë në automjet.

Breshëria e plumbave u kanë marrë jetën në vend. Për fat të mirë, foshnja që ndodhej në vendin e pasagjerit përpara, në prehrin e gruas së vrarë, ka shpëtuar nga plumbat.

Sipas grupit hetimor, autorët dyshohet të jenë të paktën dy persona, të cilët kanë ditur mirë çdo lëvizje të viktimave. Në shënjestrën e tyre, përveç ish-punonjësit të policisë ka qenë edhe bashkëjetuesja, për të zhdukur çdo dëshmi të mundshme.

Nga dyshimet e policisë duket se bëhet fjalë për një krim të kryer nga profesionistë, duke parë saktësinë e goditjeve me armë zjarri, ndërsa autorët kanë qenë të maskuar.

Aktualisht nuk dihen as motivet dhe as autorët e ngjarjes së rëndë, ndërsa dyshimet e para hidhen për ndonjë konflikt të kohëve të fundit të ish-punonjësit të policisë.

Boran Bercama kishte dhënë dorëheqjen para rreth 6 muajsh nga policia, ku shërbente si punonjës i Policisë së Rendit me patrullat. Policia ka shoqëruar disa persona, që dyshohet se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen. Gjithashtu janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të disa bizneseve aty pranë, për të mësuar më shumë mbi lëvizjen e autorëve.


Një çift bashkëshortësh janë gjetur të vrarë me armë zjarri mëngjesin e kësaj të diele në Shkodër, në vendin e quajtur “Rruga e gjerë”.

Viktimat Boran Bërcama dhe gruaja e tij janë gjetur brenda makinës së tyre, pranë banesës ku jetonin, në rrethana ende të paqarta për policinë, transmeton tch.

Nga raportimet e para mësohet se Bërcama ka qenë më parë punonjës i policisë.

Forca të shumta policie kanë rrethuar vendin e krimit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme