Kronikë

Vetëm gjatë 24 orëve 52 aksidente në Kosovë

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë shënuar 52 aksidente në komunikacion, nga të cilat, 26 pjesëmarrës, pësuan lëndime trupore. Kështu tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha, duke u bërë thirrje shoferëve për kujdes të shtuar dhe tu përmbahen rregullave të komunikacionit, me qëllim të shmangies së aksidenteve.

“Aksidentet në komunikacion të ditëve të fundit që përfunduan me fatalitet në rrugët e Kosovës, ishin shqetësuese jo vetëm për policinë e Kosovës por edhe për qytetaret e gjithë vendit tonë”, tha Hoxha për televizionin publik. Për këtë, policia e Kosovës është vënë në veprim me një varg aktivitetesh më qëllim të parandalimit të aksidenteve të tilla.

“Mund te ju konfirmoj se gjatë 24 orëve të fundit kemi të regjistruara gjithsejtë 52 aksidente në trafikun rrugor, 26 aksidente janë më lëndime trupore dhe 26 me dëme materiale. Ndërsa, Policia e Kosovës gjatë këtyre 24 orëve, ka shqiptuar gjithsejtë 1333-të tiketa në trafik”, tha ai.

Qytetarët kanë mendime të ndryshme sa i përket trafikut rrugor dhe aksidenteve të shumta që po ndodhin dita ditës.

Tutje Hoxha ka thënë se policia do të jetë në pikat e caktuara dhe do të ndërmerr masa të rrepta ndaj të gjithë atyre që bien ndesh me rregullat e komunikacionit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafik.