Kronikë

Policia jep detaje për rrahjen në Prelluzhë, të përfshirë serbë e shqiptarë

(17:13) Arrestohet një person i dyshuar, intervistohen dy të tjerë dhe një tjetër mbetet në kërkim policor

Sot rreth orës 05:10 të mëngjesit, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në spitalin e Mitrovicës në Veri, një person i lënduar ka kërkuar tretman mjekësor si pasojë e përfshirjes në një rast të rrahjes që kishte ndodhur në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë.

Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante menjëherë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, fillimisht duke kontaktuar viktimën N.D. rreth 23 vjeçar, nga i cili janë informuar se sot rreth orës 03:30 në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë, para një kafiterie është sulmuar si pasojë e një rrahje që kishte ndodhur.

“Ashtu siç është bërë e ditur menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, thuhet në njoftimin për media të PK-së.

“Në kuadër të veprimeve të saj policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarit/ve të mundshëm, duke zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat dhe motivin që kanë të bëjnë me rastin e çastit, që dyshohet të ketë ndodhur aty për aty pas përfshirjes në rrahje të këtyre personave. Si rezultat veprimeve dhe hetimeve intensive, Policia e Kosovës deri më tani ka arritur të identifikojë katër persona të tjerë si pjesëmarrës në rrahje, prej tyre dy serbë dhe dy shqiptarë”.

Hetimet intensive kanë vazhduar pa ndërprerë, me ç ‘rast është arrit të ndalohet i dyshuari V.S. m/sh/k (1995), i cili është intervistuar nga hetuesit rajonal dhe me urdhër të prokurorit të i është caktuar masa ndalimit policor, kurse dy të dyshuarit D.D. m/s/k (1984) dhe S.S. m/s/k (1994), pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt. Policia e Kosovës mbetet në kërkim edhe të personit të katërt P.S. m/sh/k (rreth 25 vjeçar), i cili është i njohur për PK-në.

Në cilësi të provave materiale është konfiskuar një automjet i cili i përket personit të dyshuar, i cili po ashtu kishte pësuar lëndime gjatë pjesëmarrjes në rrahje.


Policia e Kosovës dyshon se autori i therjes së serbit në Prilluzhë është shqiptar

12:12 - Ndërkohë radio “Kim” në gjuhën serbe raporton se Policia e Kosovës ka informacione për personin që dyshohet se në Prilluzhë theri Nikola Dejanoviqin, citon rtv “Kim” majorin e PK-së, Nysret Mehmeti.

Nikolla Dejanoviq u ther në Prilluzhë rreth orës 3 pas mesnatës, raporton ky portal.

“Kemi informacione për personin që dyshohet se ka kryer këtë vepër penale. Sipas informatave tona, ai është shqiptar”, ka citon radio “Kim” majorin Mehmeti.

Motivi i sulmit ende nuk dihet dhe se ai do të përcaktohet në rrugë hetimore.


Serbi i therur në Prilluzhë, “dyshon se u sulmua nga një grup shqiptarësh”

Mitrovicë, 5 korrik – Nikolla Dejanoviq, 23 vjeç, është sulmuar sot në mëngjes në Prilluzhë, një fshat i banuar me serbë në komunën e Vushtrrisë. Sipas raportimit të medieve serbe, ai ka marrë disa therje në gjoks e shpinë, transmeton Koha.net.

Sipas RTS-së ai është transferuar në spitalin e Mitrovicës veriore në repartin e kujdesit intensiv.

Vetë i plagosuri Dejanoviq u ka thënë mjekëve se dyshon që atë e ka sulmuar një grup shqiptarësh kur bashkë me të vëllanë po kthehej në shtëpi. Ai po ashtu ka thënë se grupi ka provuar ta sulmojë edhe të vëllanë me “një lloj spreji”.

“Sulmi thuhet të ketë shqetësuar anëtarët e më shumë se njëqind familjeve që kanë mbetur në Prilluzhë”, thuhet në raportimin e RTS-së, transmeton Koha.net.

Portali koSSev në gjuhën serbe pasi thekson se zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Avni Zahiti, ndodhej në pushim vjetor, shton se ka kërkuar informacione me shkrim edhe nga zëdhënësi i PK-së në Prishtinë, Baki Kelani, porse nuk ka marrë përgjigje.

Ky portal citon radion “kontaktplus” sipas të cilit, me sprej biber është spërkatur i vëllai i tij.

Por sulmin ndaj Dejanoviqit me të vëllanë RTV “Kim” ia ka konfirmuar organi i ashtuquajtur i përkohshëm i Prilluzhës, Aca Mishiq, sipas të cilit, sulmi ka ndodhur rreth orës 2 pas mesnate në qendër të fshatit dhe se aty kanë qenë edhe dy dëshmitarë të cilët po ashtu janë spërkatur me sprej.

Këto mediume nuk përmendin përkatësinë e sulmuesve.