Kronikë

Konfirmohet aktakuza ndaj Beqirit e Hashimit, të dyshuar se morën 100 mijë euro për të mbyllur një rast

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën kundër ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri dhe biznesmeni Rrahim Hashimi, të cilët dyshohen se u kishin marrë 100 mijë euro drejtuesve të organizatës Qendra për Avokim dhe Diplomaci (QAD), për t’ua mbyllur një rast.

Gjykatësi Vesel Ismaili ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, se ka refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimeve të provave duke bërë kështu që aktakuza të konfirmohet në shkallën e parë.

Ndryshe, Emin Beqiri ngarkohet me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “pengimi i të provuarit” dhe “moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”, ndërsa Rrahim Hashimi akuzohet për veprat penale “ushtrim i ndikimit” dhe “mashtrim”.

Në seancën fillestare të 16 majit 2018, dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

“E ndjej veten shumë të pafajshëm”, ishte deklarata e të akuzuarit Beqiri, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fikrije Fejzullahu.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me 2 maj 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, Emin Beqiri dhe biznesmenit Rrahim Hashimi.

Kjo prokurori këtë aktakuzë e kishte ngritur në lëndën penale të shënjestruar si rasti “Sekseri”.

I akuzuari Beqiri ngarkohet me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “pengimi i të provuarit” dhe “moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”, ndërsa i akuzuari Hashimi me vepra penale “ushtrim i ndikimit” dhe “mashtrim”.

Dy të akuzuarit dyshohen se u kishin marrë 100 mijë euro drejtuesve të organizatës QAD, për t’ua mbyllur një rast.

Sipas aktakuzës, Emin Beqiri në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Krime Ekonomike në Prishtinë, gjatë muajit dhjetor 2016, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe personin tjetër, përmes drejtorit të “City Group”, të akuzuarit Rrahim Hashimi, kishte kërkuar 100.000 euro nga të dëmtuarit Valmir Hajrullahu dhe Freskim Buqaj, për të cilët drejtoria kishte filluar një hetim në drejtim të veprës penale të mashtrimit.

Beqiri të akuzuarit Hashimi, sipas aktakuzës, i kishte dhënë informata që konsiderohen si fshehtësi zyrtare, ku ky i fundit iu kishte treguar të dëmtuarve se kontrolli-bastisja e lokaleve dhe shtëpive të tyre nuk do të bëhet sipas urdhëresës së gjykatës, dhe i njëjti ishte përpjekur që t’i bind të dëmtuarit që ti jepnin paratë e kërkuara me qëllim që procedura kundër tyre të mbyllet.

Mirëpo, gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Hashimi nuk kishte arritur t’i marrë paratë e kërkuara dhe ndaj të dëmtuarve Hajrullahu dhe Buqaj kishte filluar procedura, ndërsa pas kësaj prindërit e të dëmtuarve Rexhet Hajrullahu dhe Qazim Buqaj ia kishin dhënë të akuzuarit Hashimi 50.000 euro me qëllim që përmes të akuzuarit Beqiri t’ua mundësoi hapjen e lokaleve e pastaj ti jepnin edhe 50.000 tjera që të përmbyllej kjo procedurë.

Kështu, në dhjetor 2016 Rexhep Hajrullahu ia kishte dhënë të akuzuarit Hashimi 16.000 euro, pastaj edhe 9.000 euro tjera, ndërsa i dëmtuari Qazim Buqaj 25.000 euro.

Prokuroria Beqirin e ngarkon edhe me veprën penale “pengimi i të provuarit”, pasi i njëjti gjatë muajve janar-mars 2017, përkundër urdhëresës së gjykatës për ekzaminimin e aparatit telefonik “Iphone6”, të të dëmtuarit Valmir Hajrullahu, nuk e kishte dërguar në laborator, ndërsa i dëmtuari e kishte vërejtur se bisedat dhe fotot e incizuara i ishin fshirë nga telefoni.

Po ashtu, Beqiri akuzohet edhe për veprën penale “moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”, pasi i njëjti edhe pse kishte pasur njohuri se i akuzuari Hashimi kishte marrë para në emër të tij, nuk e kishte lajmëruar veprën penale.

Ndërkaq, i akuzuari i dytë Rrahim Hashimi, akuzohet se gjatë muajit dhjetor 2016 nga familjarët e të dëmtuarve Hajrullahu dhe Buqaj kishte marrë shumën prej 50.000 euro dhe kishte kërkuar edhe 50.000 tjera, me qëllim që procedura ndaj tyre të përshpejtohet, dhe pastaj edhe kishte ushtruar ndikim mi vendimmarrjen e personit zyrtar, duke bërë që i akuzuari Beqiri të veprojë në kundërshtim me ligjin.

I njëjti akuzohet se gjatë viteve 2009-2017, kishte mashtruar shumë qytetarë, në atë mënyrë që përmes fakteve të rreme, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kishte shfrytëzuar miqësinë me aktashen e Ambasadës së Hungarisë, Tamas Gergely, duke aplikuar për viza në emër të personave të ndryshëm, duke i paraqitur si punëtor të “City Group”./Betimi për Drejtësi