1 perditesime
15:47

Gjendet 23-vjeçari nga Shtimja

23-vjeçari, Agon Hyseni, nga Shtimja, i cili po kërkohej tash e dy ditë nga Policia, është gjetur të dielën.

Policia ka njoftuar se Hyseni është gjetur nga Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim në rajonin e Shtimes të dielën rreth orës 15:00.

Ai fillimisht është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtime, e më pas është transferuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe sipas mjekësve gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

“Drejtoria Rajonale Policisë në Ferizaj i falënderon qytetarët për angazhimin, ekipet e policisë nga stacioni i Shtimes, Sektorin Rajonal të Hetimeve, Njësinë e Reagimit të Shpejtë, e në veçanti Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, të cilët gjetën personin e zhdukur”, thuhet në njoftimin e Policisë.

 

11:45

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për gjetjen e 23-vjeçarit nga Shtimja

Një 23-vjeçar nga Shtimja tash e dy ditë është shpallur i zhdukur.

Policia në Ferizaj ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për gjetjen e Agon Misinit, për të cilin nuk dihet asnjë informacion që nga mbrëmja e së premtes.

Me anë të disa të dhënave për të humburin, Policia ka përshkruar se si duket ai.

“Ai është i gjatë, 175 cm. Peshon, 125 kg. Sy kafe. Flokë të zeza. Ka pak mjekër. Kishte të veshura: xhaketë hiri, bluzë të bardhë, pantallona dhe këpucë të zeza”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Që nga dita e raportimit, ekipet e policisë në bashkëpunim të ngushtë me familjarët e tij, banorë të zonës, janë në kërkim të personit të zhdukur.

“Policia Rajonale e Ferizajt ka marrë autorizimet nga prokurori i rastit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për publikim e të dhënave të tij dhe kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve. Të gjithë ata që kanë informacione, që ndërlidhet me të zhdukurin, ta njoftoni menjëherë policinë, stacionin më të afërt të policisë”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.