Kronikë

Ish-drejtori i Muzeut të Kosovës i akuzuar për korrupsion, deklarohet i pafajshëm edhe në rigjykim

Ish-drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion në rigjykimin që po zhvillohet ndaj tij.

“Jo, në asnjë mënyrë”, deklaroi i akuzuari Boshtrakaj. Një deklarim të tillë, ish-drejtori i Muzeut e ka dhënë në seancën e së premtes në rigjykim, pas leximit të aktakuzës në prokurorja Dulina Hamiti.

Më 10 qershor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mungesë të provave kishte liruar nga akuza të akuzuarin Boshtrakaj. Mirëpo, Gjykata e Apelit rastin e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Boshtrakaj, në aktakuzën e ngritur më 2 shtatorit 2020, ngarkohet se nuk ka respektuar procedurat e prokurimit publik në tre tenderë për furnizim, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm buxhetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në vlerë prej 269 mijë e 444 euro.

Tutje, seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse nga prokurorja Hamiti, e cila tha se aktakuza e ngritur kundër të akuzuarit Boshtrakaj për veprën penale që i vihet në barrë është e mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme.

Si prova, prokurorja Hamiti ka përmendur disa kontrata për furnizim të nënshkruara në mes të akuzuarit Boshtrakaj me kompaninë “TIKI”, SH.P.K e ekspertizën e prokurimit, me të cilat ajo tha se do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Boshtrakaj, avokati Vigan Rugova fillimisht në fjalën e tij hyrëse ka thënë se sipas mbrojtjes gjykata e shkallës së parë ka vendosur drejtë lidhur me këtë çështje më aktgjykimin e datës 14 qershor 2022.

Avokati Rugova i ka propozuar gjykatës që gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor të plotësohen vërejtjet e dhëna nga Gjykata e Apelit, me qenë se kjo lëndë është kthyer në rigjykim pas ankesës së prokurorit të shtetit.

“Mbrojtja konsideron se vërejtjet e dhëna nga Gjykata e Apelit dhe arsyet për të cilat kjo çështje është kthyer në rishqyrtim janë të natyrës, formale lidhur me vet aktgjykimin e shkalles së parë, ndërsa sa i përket vendimit thelbësorë mbetet e qartë se nuk ka elemente të veprës penale për të cilën akuzohet i mbrojturi im Sknder Boshtrakaj”, tha tutje avokati Rugova.

I njëjti ka theksuar se vepra penale e keqpërdorimit të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar, për të cilën ngarkohet i mbrojturi i tij duhet të ketë elementin e dashjes dhe kjo dashje sipas tij duhet të jetë e drejtpërdrejtë për të përfituar për vete apo për tjetrin materialisht ose për t’i shkaktuar dëm tjetrit.

“Në rastin konkret është vërtetuar se asnjë nga këto elemente nuk ekziston, dhe vet e dëmtuara Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) për të cilën prokurori i shtetit konsideron se është e dëmtuar në deklaratën saj është tërhequr nga kërkesa për dëmshpërblim dhe nga ekspertiza financiare është vërtetuar se nuk ekziston asnjë lloj dëmi”, ka shtuar avokati Rugova.

Fjalën e tij hyrëse e ka mbështetur i akuzuari Boshtrakaj.

Paraprakisht, në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Allten Murseli konstatoi se mungon përfaqësuesja ligjore e palës së dëmtuar nga (MKRS) Vjollca Aliu.

Për mungesën e saj, gjykatësja Murseli ka thënë se e njëjta përmes një shkrese e ka njoftuar gjykatën se nga data 20 mars deri më 2 prill 2023, do të jetë në udhëtim zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Andaj, në mungesë të saj seanca e sotme u ndërpre, ndërsa ajo e radhës u caktua më 28 prill 2023./BetimipërDrejtësi