Kronikë

Ukë Rugova dhe të tjerët lirohen nga akuza për krim të organizuar, dënohen për armëmbajtje pa leje

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka liruar nga akuza për krim të organizuar, ish-deputetin e djalin e presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, ish-ministrin Astrit Haraqija, ish-punëtorin e Ambasadës italiane, Florjan Petani, si dhe Izet Beqirin e Qefser Bahollin.

Që të gjithë të enjten janë shpallur të pafajshëm për këtë pikën e akuzës që ka pasur të bëjë me shitje të vizave të Italisë.

Ukë Rugova, Izet Beqiri e Qefser Baholli, janë dënuar me dënime më gjobë për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Rogova është dënuar me 6 mijë euro gjobë, ndërsa Beqiri e Baholli me nga 3 mijë e 500 euro.

Ish-ministri i Kulturës Astrit Haraqija është liruar nga të gjitha akuzat, ashtu sikurse edhe ish-punëtori i Ambasadës italiane, Florjan Petani, nga ndjekja penale e të cilit, në seancën e mbajtur më 27 mars, është tërhequr prokurorja speciale Florije Shamolli, me arsyetimin se Petanin bashkë me ish-ambasadorin italian, Michael Giffoni, i ka liruar nga akuzat në dyshimet e njëjta një gjykatë në Itali.

Arrestimet e para për këtë rast i kishte bërë misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX, derisa aktakuza ishte ngritur më 2016.

Ndërkohë, gruaja e Rugovës, Blerta Kllokoqi Rugova, ka reaguar në Facebook. Ajo ka thënë se pas 9 vjetësh përfundoi tortura familjare e shkaktuar nga arrestimi i tij.

Kllokoqi-Rugova ka shprehur mllefin ndaj atyre që ajo ka thënë se “orkestruan e sulmuan figurën e presidentit Rugova përmes Ukës, sepse nuk arritën ta bënin një gjë të tillë sa ai ishte gjallë”.

Image