Kronikë

Ndalohet në Jarinjë një serb, kishte urdhërarrest aktiv për përfshirje në disa vepra penale

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të martën mbrëma në pikën kufitare në Jarinjë, është ndaluar një serb, M.J., ndaj të cilit kishte urdhëarrest aktiv të lëshuar nga gjykata.

M.J. kërkohet për përfshirje në vepra penale si krim i organizuar, marrje e mitos dhe keqpërdorim i autorizimit.

“Sot, në orët e mbrëmjes në pikë kalimin kufitar Jarinje, është ndaluar një mashkull kosovar (M.J.), mbi bazën e urdhërarrestit aktiv të lëshuar nga Gjykata Themelore. I dyshuari kërkohej mbi dyshimet e bazuara për përfshirje në veprat penale si; krim i organizuar, marrje e mitos dhe keqpërdorim i autorizimit. Të gjitha veprimet dhe procedurat e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Mediumi serb “Kosovo Online”, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një ish-polic, ndërsa ai ishte duke udhëtuar me bashkëshorte dhe dy fëmijë.

Sipas mediumit ai po kthehej në Leposaviq nga Rashka.