Kronikë

Arrestohet edhe i dyshuari i tretë në rastin ku u konfiskuan mbi 4 kg marihuanë

Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën ka arrestuar edhe të dyshuarin e tretë lidhur me rastin ku u konfiskuan mbi 4 kilogramë marihuanë

Rasti ka ndodhur në fshatin Joshanicë të Komunë së Leposaviqit.

“Sot më datë 27.03.2023 njësia e antidrogës në Mitrovicë - veri pas hetimeve të bëra për rastin e datës 24.03.2023 ku është konfiskuar një sasi e drogës, kanë arritur të identifikojnë dhe lokalizojnë edhe një të dyshuar tjetër me iniciale I. R.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

I dyshuari thuhet se është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.

“Si prova materiale Policia nga i dyshuari ka sekuestruar një automjet dhe një telefon, përderisa njësia e antidrogës së Mitrovicës veri janë duke kryer hetime relevante për rastin”, thuhet në njoftim.

Të premten e javës që shkoj lidhur me këtë rast janë arrestuar edhe M.M. dhe N.J.. Të dyshuarit M.M. në veturë i janë gjetur dhe konfiskuar katër paketime, që dyshohet të jenë me lëndë narkotike-marihuanë. Ndërsa për të dyshuarin N.J. thuhet se me veturë ka qenë në përcjellje të të dyshuarit M.M..