Kronikë

Rasti “Subvencionet 2”, 6 të akuzuar pranojnë fajësinë, përfshirë 3 zyrtarë të AZHB-së

Tre të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tre të tjerë për dhënie ryshfeti kanë pranuar fajësinë para Gjykatës Themelore në Prishtinë, të hënën. Në këtë rast të akuzuar janë 5 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë dhe 10 përfitues subvencionesh. Gjykata vendosi që për gjashtë të akuzuarit që e pranuan fajësinë në tërësi ta veçojë procedurën

Dhjetë të akuzuar në rastin “Subvencionet 2” kanë pranuar fajësinë plotësisht ose pjesërisht, në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në rastin ku të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë pesë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, tre prej tyre e kanë pranuar plotësisht fajësinë, ndërkohë edhe tre fermerë, nga dhjetë gjithsej, kanë pranuar fajësinë për dhënie të ryshfetit.

Për gjashtë këta, Gjykata vendosi të veçojë procedurën.
“Sa u përket të pandehurve Dukagjin Deda, Ramadan Zeqiraj, Sadri Berisha, Pashk Krasniqi, Blerim Mulliqi dhe Bekim Bruçi, pas marrjes së propozimit të palëve në procedurë dhe mendimin e palëve të tjera, gjykata merr atvendim: veçohet procedura ndaj të njëjtëve. Shpallja e aktgjykimit për këto vepra penale do të bëhet me 15.03 në orën 9 e 30 minuta, ka theksuar gjyqtarja Violeta Namani.
Aktvendim tjetër nxori gjykata për të akuzuarit A.M., D.D., H.M., G.M., që e pranuan pjesërisht fajësinë, derisa pesë të tjerët nuk e pranuan asnjë pikë të aktakuzës.

Mes atyre që u deklaruan të pafajshëm është drejtori i ndihmës direkte në AZHB, Luan Statovci.

Për ta gjyqtarja Violeta Namani vendosi t’u japë afat disaditor për kundërshtim të aktakuzës.
 

“Gjykata ju njofton që prej ditës së sotme, në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hedhjen e aktakuzës, kërkesë ligjshmëri (për mbrojtje të ligjshmërisë) të aktakuzës dhe kërkesë për shpalljen e provave të papranueshme në aktakuzë”, është shprehur Namani.

Në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale në dhjetor të vitit të kaluar, Statovci e Blerim Mulliqi, i cili është inspektor në rajonin e Pejës, akuzohen se ryshfetin e marrë nga të akuzuarit e tjerë e kanë ndarë mes vete në vazhdimësi. Vlera e ryshfeteve, sipas aktakuzës, sillej nga 400 deri në 14.000 euro. Ata akuzohen se në periudhën nga fundi i vitit 2020 deri në fillim të 2021-s morën ryshfet në këmbim të mosfutjes së aplikuesve në lista të zeza, kur ata kapeshin me të dhëna të rrejshme për përfitim të kundërligjshëm, si dhe për dhënie të subvencioneve.

Bekim Bruçi, ish-zyrtar i AZHB-së, akuzohet për ushtrim ndikimi lidhur me veprën penale keqpërdorim, ndërsa zyrtarët S.Sh. e B.N. për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Po ashtu, në rastin “Subvencionet 1”, 7 nga 21 të akuzuarit pranuan fajësinë.