Kronikë

Dëshmitari thotë se nuk u dha ryshfet policëve, kundërshtohet nga njëri prej të akuzuarve

Një transportues drush nga Leposaviqi ka dëshmuar në rastin gjyqësor, para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj 20 policëve të akuzuar për korrupsion. Ai pretendoi se nuk u ka dhënë asnjëherë ryshfet të akuzuarve, porse për këtë u demantua nga njëri prej të akuzuarve

Dëshmitari me inicialet V.I., një transportues drush, ka thënë të martën, gjatë gjykimit për rastin ndaj 20 policëve kufitarë në Zubin-Potok, të akuzuar për korrupsion, se nuk ka paguar ryshfet për kalimin e kamionëve me dru.

Këtë dëshmitari e tha para Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi nga i akuzuari Z. R., i cili e propozoi atë si dëshmitar, u pyet nëse ka dhënë ryshfet për kalimin e mallrave në kufi.

“Unë jam shofer kamioni dhe kam punëtorë si shoferë kamionësh. Shoferët i ngasin kamionët më shpesh. Ndoshta ata kanë dhënë para, por unë jo... E punojmë këtë punë qëmoti, por para s’i kemi dhënë askujt, por ndonjëherë i kemi të gjitha letrat e ndonjëherë na mungojnë. Ky zotëri nuk më ka ndalur asnjëherë”, ka theksuar dëshmitari V.I..


Por vërejtje në përgjigje shprehu i akuzuari tjetër, B.M., i cili tha se kur e pati ndaluar një kamion të dëshmitarit, ai ia ka përmendur tre të akuzuar të tjerë.


“Dua ta konfirmoj të kundërtën, sepse është rast i evidentuar, kur ia kanë konfiskuar drutë dëshmitarit, e prezent ka qenë me mua R.K., e personi në fjalë na ka thënë se sikur të ishin Z.R., K.S. apo B.L., këto dru do të kalonin”, ka deklaruar i akuzuari B.M..

Kryetari i trupit gjykues, Mentor Bajraktari, më pas i kërkoi prokurorit, Burim Qerkini, që t’i konkretizojë disa prova, përfshirë përgjimet.


“Obligohet prokurori i shtetit që meqenëse në këtë rast aktakuza është ndarë në dy pjesë... t’i saktësojë konkretisht se cilat raporte të përgjimit të të akuzuarve do të administrohen në këtë çështje penale, duke marrë parasysh edhe vendimin e kësaj gjykate që ka vendosur lidhur me kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës ku për disa të akuzuar, sipas këtij vendimi, janë shpallur si prova të papranueshme në raport me të akuzuarit të cilët janë prezentë e për të cilët po mbahet ky gjykim”, ka theksuar Bajraktari.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale për rastin përfshinte 33 persona, dy prej të cilët kanë vdekur, ndërsa 11 të tjerë janë dënuar në një proces të veçantë, pasi e pranuan fajësinë për kontrabandë.

Në këtë rast, 20 policë shqiptarë, serbë e boshnjakë akuzohen se nga viti 2017 deri më 2019 kanë marrë nga 20 deri në 150 euro ryshfet për ta lejuar kontrabandimin e kafshëve, derivateve të naftës, pijeve alkoolike e joalkoolike, si dhe produkteve ushqimore nga Serbia në Kosovë e anasjelltas. Seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 19 dhe 25 prill.