Kronikë

Lirohen nga akuza tetë të akuzuarit për mashtrime me subvencione

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Agron Berisha, Nexhmi Hyseni, Nasim Kastrati, Fatmir Tulla, Agim Nreci, Ramadan Kosumi, Imer Luzha dhe Muhamet Leci, për akuzën për mashtrim me subvencione.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të martën, nga gjykatësi Adnan Kamberi.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit u liruan nga akuza sepse nuk është provuar se kanë kryer veprën penale për të cilën janë ngarkuar, ndërsa traktori i sekuestruar përkohësisht i kthehet të akuzuarit Berisha.

Gjykatësi Kamberi ka thënë se shpenzimet e procedurës bien në barrë të gjykatës, kurse kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh pas pranimit të të njëjtit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Agron Berishës, Nexhmi Hysenit, Nasim Kastratit, Fatmir Tullës, Agim Nrecit, Ramadan Kosumit, Imer Luzhës dhe Muhamet Lecit, të cilët i akuzonte për mashtrim me subvencione.

Sipas aktakuzës, më 29 prill 2013, të pandehurit Agron Berisha dhe Fatmir Tulla, ngarkoheshin se me rastin e aplikimit për marrjen e një subvencioni të ndarë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), i pandehuri Berisha i paraqet organit kompetent pranë kësaj ministrie të dhëna të pasakta, e që ishin kusht për aprovimin e subvencionit që ishte 65% e Planit të Biznesit të të pandehurit, ashtu që kishte dorëzuar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) Planin e biznesit-mekanizmi bujqësor për sektorin e lavërtarisë dhe ishte zotuar në blerjen e traktorit me çmimin më të lartë të tregut për lëvrimin e tokës prej 133.25 hektarë.

Pastaj, thuhet se në bashkëkryerje me të pandehurin Tulla, pronar i kompanisë që merret me shitjen e mekanizimit bujqësor, traktorëve, Berisha i kishte prezantuar AZHB-së faturën e çmimit të traktorit në vlerë prej 51 mijë e 900 euro, e që për të njëjtin traktor vlera reale e çmimit të tregut ishte prej 26 mijë euro.

Më pas, akuza thotë se duke mos iu përmbajtur kushteve të AZHB-së, duke përdorë subvencionin e dhënë për qëllime të tjera, nga ato për të cilat është dhënë, traktorin e blerë nga subvencioni i dhënë nga MBPZHR-ja, i pandehuri Berisha e ka dërguar për shitje në një firmë e cila ekskluzivisht merret me shitjen e traktorëve.

Me këtë, Berisha e Tulla sipas dispozitivit të parë të akuzës, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione”.

Tutje, pika dytë e akuzës i ngarkonte të pandehurit Nexhmi Hyseni e Fatmir Tulla, se më 13 mars 2013, me rastin e aplikimit për marrjen e subvencionit të ndarë nga MBPZHR, i pandehuri Hyseni i paraqet organit kompetent pranë kësaj ministrie të dhëna të pasakta e që ishin kusht për aprovimin e subvencionit, ashtu që kishte blerë traktorin e tipit “Tumosan” me çmim 40 mijë e 500 euro, makina bujqësore, si presa për dengje bari me çmim prej 7 mijë euro, rimorkio e plehut organik me çmim prej 6 mijë euro, pijatore për traktor 24 disqe në çmim prej 2 mijë euro, makinë për mbjellje të misrit 4 rendor më çmim prej 5 mijë e 800 euro, përzierëse në çmim prej 3 mijë e 132 euro dhe plug për traktor 77 kë në çmim prej 1 mijë e 740 euro që arrin në vlerën totale 66 mijë e 172 euro.

Aktakuza thotë se këto pajisje të blera në firmën e të pandehurit Tulla, i cili i kishte lëshuar fatura me të dhëna të pasakta, e që nuk përkonin me vlerën reale të tregut për mjetet e lartcekura, kanë dëmtuar kështu buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 10 mijë e 270 euro.

Me këtë, Hyseni e Tulla sipas dispozitivit të dytë të akuzës akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione”.

Kurse, në pikën e tretë të akuzës, akuzoheshin Nasim Kastrati e Fatmir Tulla, ku thuhet se më 22 mars 2013, me rastin e aplikimit për marrjen e subvencionit të ndarë nga MBPZHR, i pandehuri Kastrati i paraqet organit kompetent pranë kësaj ministrie të dhëna të pasakta, e që ishin kusht për aprovimin e subvencionit, ashtu që në bazë të planit të biznesit të paraqitur, Kastrati kishte blerë traktorin e tipit “Tumosan” me çmim prej 51 mijë e 900 euro, makinë për zhvoshkjen e misrit në vlerë prej 10 mijë e 440 euro, makinë për palosje në formë kubike në vlerë prej 7 mijë euro, makinë për kositje në vlerë prej 1 mijë e 950 euro, rimorkio për shpërndarjen e plehut organik në vlerë prej 77 mijë e 810 euro, duke dëmtuar kështu buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 16 mijë e 835 euro, meqenëse se çmimet e prezantuara të mjeteve nuk përkonin me vlerën e çmimit real në tregun e Kosovës. Traktorin e tipit “Tumosan”, Kastrati e kishte blerë në firmën e Tullës.

Me këto veprime, Kastrati e Tulla akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione”.

Gjithnjë sipas akuzës, në pikën e katërt të saj, akuzoheshin Agim Nreci dhe Ramadan Kosumi, ku thuhet se më 12 mars 2013 me rastin e aplikimit për marrjen e subvencionit të ndarë nga MBPZHR, i akuzuari Nreci i paraqet organit kompetent pranë kësaj ministrie të dhëna të pasakta e që ishin kusht për aprovimin e subvencionit, ashtu që në bazë të planit të biznesit të paraqitur kishte blerë traktorin e tipit Bjellorus në vlerë prej 51 mijë e 900 euro, pijetore me 32 disqe në vlerë prej 4 mijë e 800 euro, rimorkio transportuese prej 6 mijë euro, plug 3 mijë euro që arrin vlerën totale 66 mijë e 500 euro, mjete këto të blera në kompaninë e të pandehurit Kosumi, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 16 mijë e 022 euro e 50 centë, meqenëse se çmimet e prezantuara nuk përkonin me vlerën e çmimit real në tregun e Kosovës.

Me këtë, Nreci e Kosumi akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione”.

Ndërsa, në dispozitivin e pestë të kësaj akuze, ngarkoheshin Imer Luzha e Muhamet Leci, ku thuhet se më 4 prill 2013 me rastin e aplikimit për marrjen e subvencionit të ndarë nga MBPZHR, i akuzuari Luzha i paraqet organit kompetent pranë kësaj ministrie të dhëna të pasakta e që ishin kusht për aprovimin e subvencionit, ashtu që në bazë të planit të biznesit të paraqitur Luzha kishte blerë traktorin e tipit “Tomason” me çmim prej 35 mijë euro, pijetore disqe në vlerë prej 4 mijë e 500 euro, trina 4 krahë në vlerë prej 1 mijë e 750 euro, shpërndarëse plehu mineral në vlerë prej 1 mijë e 150 euro, spërkatëse në vlerë prej 850 euro, mbjellëse e misrit në vlerë prej 4 mijë e 500 euro, vlera totale e të cilave arrin në 47 mijë e 450 euro, mjete këto të blera në kompaninë e të pandehurit Leci.

Kështu, thuhet se buxheti i Republikës së Kosovës u dëmtua në shumën prej 9 mijë e 685 euro, meqenëse çmimet e prezantuara të mjeteve nuk përkonin me vlerën e çmimit real në tregun e Kosovës.

E me këtë, Luzha e Leci akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione”, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi