Kronikë

Mërgimtarit në Ferizaj i vidhen armë, stoli ari e para në vlerë 150 mijë euro

Mërgimtarit në Ferizaj i vidhen armë, stoli ari e para në vlerë 150 mijë euro

Një vjedhje e rëndë ka ndodhur të mërkurën pasdite në shtëpinë e një mërgimtari në Ferizaj. Sipas ankuesit, janë vjedhur pesë pistoleta, 3 snajperë, një pushkë gjysmautomatike, katër pushkë gjuetie, municion, stoli ari e para kesh. Policia po e heton rastin, por edhe nëse armët ishin me leje

Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur një sasi të armëve në shtëpinë e mërgimtarit M.J., në rrugën “Behxhet Sojeva” në Ferizaj, derisa dyshohet se ato po mbaheshin në një kasafortë.

Shtëpia e mërgimtarit ishte nën përkujdesjen e një mirëmbajtësi, i cili edhe e ka lajmëruar Policinë për rastin.

Përveç armëve janë vjedhur edhe stoli nga ari e para të gatshme dhe vlera e përgjithshme e dëmit, sipas ankuesit, është 150 mijë euro.

“Policia e rendit e më pas hetuesit e stacionit dhe hetuesit rajonalë së bashku me krim-teknikët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe nga informatat e para, sipas ankuesit, dyshohet se aty janë vjedhur disa armë, pesë pistoleta, 3 snajperë, një pushkë gjysmautomatike, katër pushkë të gjuetisë, pastaj një sasi e municionit prej rreth një mijë fishekësh, katër palë dylbi, stoli nga ari në vlerë prej 2 mijë euro, pastaj 400 euro para kesh dhe vlera e përgjithshme sipas ankuesit është 150 mijë euro”, ka thënë Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë në Ferizaj.

Policia po heton po ashtu nëse armët ishin me leje.

“Informacionet janë duke u grumbulluar nga sektori rajonal i hetimeve, andaj e gjithë hetimi është në fazën fillestare, andaj sapo të kemi një raport të detajuar ne do t’ju njoftojmë me kohë. Për këtë rast është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe Sektori rajonal i hetimeve i ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit”, ka thënë Veseli.

Sipas Veselit, Policia është duke e kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes, përfshirë edhe shikimin e kamerave të shtëpisë dhe në lagje.