Kronikë

Zjarri në depon e ish-Rilindjes, Prokuroria nis hetimet

Një zjarr dyshohet se ka shpërthyer gjatë pasdites të së martës në depon e objektit të Qeverisë (ish-Rilindja).

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me këtë rast të cilin e kanë iniciuar si “zjarrvënie”.

Kështu ka bërë të ditur për KOHËN, zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Ajo ka thënë se zjarri është arritur të lokalizohet nga ekipi i zjarrfikësve, ndërsa nga ky rast nuk ka persona të lënduar.

“Ju njoftojmë se sot rreth orës 16:00, prokurori kujdestar është njoftuar nga policia për një shpërthim zjarri në depon e objektit të Qeverisë (ish-Rilindja), me ç’ rast menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë e tjera relevante. Ekipi i zjarrfikësve kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin, ku fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, derisa me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar “Zjarrvënie” dhe në koordinim me institucionet relevante janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti”, ka deklaruar Ulaj.