Kronikë

Nga viktima në të dyshuar: Gruaja në Lipjan ndalohet për kallëzim të rremë për dhunë nga burri

dhune psikike, dhuna, rrahje, gruaja, burri, 12 prill

Nga viktima në të dyshuar. Një grua në Lipjan, sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ka pranuar se ka gënjyer organet e hetuesisë në prill të vitit të kaluar kur e ka raportuar bashkëshortin për “dhunë në familje”, për të cilën vepër ai është shpallur fajtor me vendim të Gjykatës.

Siç bën të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë, të hënën është ndaluar gruaja për “lajmërim apo kallëzim të rremë”.

“Dyshohet se e njëjta ka bërë raportim të rremë pranë organeve të rendit, dhe atë më 21.04.2021, kundër bashkëshortit të saj, për veprën penale dhunë në familje, ndaj të cilit është zhvilluar procedurë penale dhe i njëjti është shpallur fajtor me vendim të Gjykatës kompetente”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Tash bashkëshorti i saj ka ushtruar kallëzim penal. Sipas njoftimit, në një incizim gruaja ka pranuar se ka gënjyer organet e hetuesisë me qëllim që të përfitojë pasuri.

“Ndërsa, bashkëshorti i saj ka ushtruar kallëzim penal kundër të dyshuarës, për shkak të lajmërimit apo kallëzimit të rremë në polici, në vitin 2021 (rasti i lartcekur) dhe se në incizimin të cilin e posedon Prokurori i Shtetit, i ofruar si dëshmi nga tani i dëmtuari, e njëjta e pranon se në vitin 2021 ka gënjyer organet e hetuesisë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete”, thuhet në njoftim.

Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarës, në Gjykatën kompetente.​